E Shtunë, 31 Tetor 2026

3200 bursa për studentët dhe nxënësit



Këshilli i Ministrave do të ndihmojë me bursë 3200 studentë dhe nxënës gjatë këtij viti akademik/shkollor, sipas vendimit të djeshëm të marrë në mbledhjen e qeverisë. Burime nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës bëjnë të ditur se këto bursa do të ndahen 1600 për studentët dhe 1600 për nxënësit e shkollave të mesme, kryesisht ato profesionale, që janë prioritet i qeverisë.

Sipas këtij vendimi, për herë të parë, Këshilli i Ministrave do t’u akordojë bursë të plotë të gjithë nxënësve të zonave të largëta (verilindore dhe juglindore) të vendit, të cilët janë regjistruar dhe do të ndjekin studimet këtë vit shkollor në shkollat profesionale. “Gjithashtu, do t’u jepen bursa të gjithë nxënësve që janë regjistruar këtë vit në shkollat profesionale në degët prioritare të ekonomisë, konkretisht ndërtim, bujqësi dhe pyje”, – bën të ditur zyra e shtypit e Ministrisë së Arsimit.

Vendimi, i cili u prezantua në qeveri, parashikonte një numër të caktuar bursash për nxënësit që vijojnë në shkollat profesionale. Por, gjatë diskutimit për këtë vendim, Kryeministri Berisha kërkoi që të merret vendimi, i cili parashikon “një numër të pakufizuar” bursash studimi në shkollat e mesme profesionale, në zonat verilindore dhe juglindore të vendit, në të cilat për arsye të varfërisë, ka një ndjekje më të ulët të arsimit të mesëm.

“Ky vendim, i cili u mor menjëherë, ka si qëllim nxitjen dhe mbështetjen për rritjen e numrit të të rinjve, të cilët pasi mbarojnë shkollën 9-vjeçare, të kenë mundësinë të ndjekin arsimin e mesëm profesional dhe që më pas të kenë mundësi më të mëdha përballë tregut të punës”, – bëri të ditur zyra e shtypit e Kryeministrit Berisha.

Ndërkaq, edhe gjatë këtij viti do të vijojnë të marrin bursë të gjithë ata nxënës apo studentë që plotësojnë kushtet ekonomike, të vendosura nga Këshilli i Ministrave. Përtej këtij kriteri, në bazë të vendimit të qeverisë do të vijojnë të jepen bursa edhe në bazë të meritës. Në këtë mënyrë bursa do të përfitojnë të gjithë ata studentë që kanë përfunduar vitin e mëparshëm me nota 10, si edhe nxënësit e shkollave të mesme profesionale që plotësojnë të njëjtin kriter.

Përfituesit

Kriteri ekonomik

Nxënësit/studentët, që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre, në largësinë mbi 5 km dhe plotësojnë kriterin ekonomik.

Nxënësit, që banojnë në fshat, pa shkollë 9-vjeçare, brenda rrezes prej 5 km, e që vendosen në konvikt publik.

Nxënësit/studentët, që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.

Nxënësit/studentët, të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore, me vendim gjykate, të formës së prerë dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.

Secili nga studentët bashkëshort, me fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik e që vendoset në konvikt publik.

Fëmija, nxënës apo student, që ka statusin e invalidit,

paraplegjik dhe tetraplegjik, dhe që plotëson kriterin ekonomik.

Rezultatet e larta

Nxënësit e arsimit të mesëm profesional, që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës, me të gjitha notat 10-a.

Studentët, që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, e që kanë mbaruar shkollën e mesme, me Medalje Ari.

Studentët, që kanë mbaruar vitin akademik, pararendës, me të gjitha notat 10-a.

Studentët, që vazhdojnë studimet në degët matematikë dhe fizikë, në vitet e dyta e lart dhe që e kanë përfunduar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8-të.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›