“Gërdeci”, avokati i Pinarit kërkon gjyq me dyer të mbyllura
Gjyqi për Gërdecin të zhvillohet me dyer të mbyllura. Kjo ka qenë kërkesa e parashtruar dje nga avokati i njërit prej të pandehurve të dosjes së bujshme, i cili e argumentoi bërjen e një gjyqi në kushte të tilla për shkak të sekreteve shtetërore që mund të dalin gjatë zhvillimit të tij. Gjykata do të shprehet për kërkesën e avokatit të Ylli Pinarit më 7 tetor, seancë ku do të vendoset edhe fati i mëtejshëm i zhvillimit të këtij gjyqi, pas kërkesës së ushtarakëve dhe civilëve për t’u veçuar gjykimi nga të pandehurit e arrestuar. Kërkesa për veçim të gjykimit u bë me argumentin se për asnjë nga të pandehurit kërkues, qofshin ushtarakë apo civilë, nuk është vërtetuar bashkëpunimi me Delijorgjin, Pinarin, Minxhollin apo Ngjeçin. Për këtë arsye, por edhe për të mos vijuar me shtyrje të njëpasnjëshme për shkak të numrit të madh të të pandehurve, avokatët kërkuan ndarjen e gjykimit. Treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado ka vendosur që për të dyja kërkesat të shprehet në seancën e radhës, e cila u caktua për më 7 tetor, konkretisht të mërkurën e ardhshme.
Seanca
Më në fund, pas disa shtyrjeve të njëpasnjëshme, togat e zeza në Gjykatën e Tiranës mundën të çelin shqyrtimin gjyqësor për çështjen “Gërdeci” dhe të arrijnë deri te kërkesat paraprake. Duke qenë se palët ishin të gjitha prezente në sallë, trupa gjykuese e kryesuar nga Ridvan Hado ka dëgjuar kërkesat paraprake të avokatëve mbrojtës dhe të prokurorëve. Ashtu sikurse ishte deklaruar gjatë kësaj kohe, avokatët e 25 të pandehurve i kërkuan treshes gjykuese të veçojë çështjen për personat që akuzohen vetëm për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim” nga pjesa tjetër që kanë mbi vete akuzën e “vrasjes së një apo më shumë personave” dhe “shkeljes së rregullave me lëndët plasëse dhe radioaktive”. Të vetmit avokatë që nuk kërkuan veçim gjatë seancës ishin avokatët e Mihal Delijorgjit, të shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinarit, Sokol Ngjeçit dhe Dritan Minxhollit. Ndërsa përfaqësuesit e shumicës tjetër me në krye avokatët e ushtarakëve Luan Hoxha, Shpëtim Spahiu, Dashnor Caushi, por edhe të pandehurve civilë presin pas kërkesës së kësaj të mërkure që gjykata të shprehet me vendim nëse do të gjykohen apo jo në një proces tjetër të veçuar. Gjatë seancës së djeshme, përveç medias dhe familjarëve të viktimave të tragjedisë që janë gjithmonë të pranishëm, në sallë ishin të pranishëm të pandehurit Dashnor Çaushi, Gëzim Oshafi, Jorgo Mino, Ilmi Laçaj, Denis Hajdari dhe Hysni Çoçka. Ndërkohë që të akuzuarit e tjerë kanë firmosur të përfaqësohen nga avokatët e tyre.
Kërkesa
Gjyq me dyer të mbyllura për shkak të mosdaljes në media të sekreteve shtetërore që gjenden në dosje. Kjo ka qenë kërkesa e avokatit të të pandehurit Ylli Pinari, ish-drejtor i kompanisë shtetërore MEICO. Duke qenë se media po e ndjek këtë gjyq deri tani me dyer të hapura, avokati i Ylli Pinarit i kërkoi gjykatës ta zhvillojë procesin në javët në vazhdim me dyer të mbyllura pasi në dosje ka edhe sekrete shtetërore. Për këtë kërkesë, por edhe atë të veçimit të gjykimit, treshja e përbërë nga Ridvan Hado, Shefkie Demiraj dhe Fatmira Hajdari do të japë vendim pas një jave.