Vendimi, 7 mijë kuota për mastera
Shtatë mijë të diplomuar do të kenë mundësi të vijojnë studimet e ciklit të dytë gjatë këtij viti akademik, sipas vendimit të marrë dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Këto kuota shpërndahen ndërmjet Diplomave të Nivelit të Dytë dhe Masterave të Nivelit të Dytë, ndërkohë që për herë të parë ka kuota të veçanta për programe të dyta studimi masteri dhe për transferimin e studimeve.
Në këtë mënyrë, sipas vendimit të qeverisë, 2640 kuota janë rezervuar për programet dyvjeçare të ciklit të dytë të studimeve, pra Diplomat e Nivelit të Dytë. Ndërkohë, më shumë kuota gjatë këtij viti do të kenë programet njëvjeçare të ciklit të dytë të studimeve. Kështu, sipas vendimit të qeverisë, për Master të Nivelit të Parë (MNP) do të pranohen në total 4145 të diplomuar.
Ndërkohë, këtë vit, qeveria ka përcaktuar kuota të veçanta edhe për katër kategori të tjera. Sipas vendimit, për programe të dyta studimi, pra për të gjithë ata që kanë përfunduar një program MNP ose DND, do të jenë të rezervuara 100 kuota. Po aq, do të rezervohen për transferimin e studimeve, brenda të njëjtit program ose programeve të ngjashme nga një universitet në tjetrin.
Dy kategoritë e tjera kanë të bëjnë me personat me aftësi të kufizuara dhe të huajt. Kështu, të gjithë studentët që nuk kanë shtetësi shqiptare, do të mund të aplikojnë për programet e ciklit të dytë të studimeve, vetëm për 50 kuota. Ndërsa, një sasi e veçantë prej 20 kuotash u është rezervuar të gjithë bashkëqytetarëve tanë të cilët janë të verbër me vërtetim të komisionit përkatës.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, “krahasuar me një vit më parë, ka një rritje me afro 2500 kuota për këto programe studimi”. Ndërkaq, MASH saktëson se 10% e kuotës së çdo programi studimi të ciklit të dytë është parashikuar për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë vendit.
Aplikimet për në programet e ciklit të dytë, qofshin këto Diploma të Nivelit të Dytë apo Mastera të Nivelit të Parë, kanë përfunduar në universitetet e Tiranës dhe tashmë, brenda dy javëve në vijim, do të dalin fituesit e këtyre programeve.
Burime nga Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës bëjnë të ditur se kriteri i vetëm ka për të qenë nota mesatare e marrë gjatë tri viteve të para të studimeve, ndërkohë që nëse ka barazi ndërmjet këtyre notave, atëherë do të kryhen intervista të veçanta me secilin prej kandidatëve, nga një komision ad-hoc që do të ngrihet brenda departamenteve përkatëse.
a. Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë (DND). 2640
b. Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit Master i Nivelit të parë (MNP) 4145
c. Kuota për programe të dyta studimi 100
d. Kuota për transferimin e studimeve 100
e. Kuota për të huajt 50
f. Kuota për të verbrit (të veçanta) 20
Gjithsej 7055
Çelen programe të reja masteri
Qeveria shqiptare miratoi gjatë ditës së djeshme një sërë programesh të reja të nivelit të parë. Në këtë mënyrë u çelën programet e Masterit të Nivelit të Parë në Universitetin “ Ismail Qemali”, Vlorë, në degët “Sipërmarrje dhe Turizëm” dhe “Administrim Publik”, në Universitetin e Tiranës, në degët “Redaktori”, “Gjeomorfologji” dhe “Arkivistikë”, si edhe në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, në degën “Përkthim dhe Interpretim në Gjuhë Gjermane”. Ndërkaq, dje u vendos edhe çelja e programeve të ciklit të dytë, që laureojnë Diploma të Nivelit të Dytë në Universitetin e Gjirokastrës dhe në atë të Durrësit. Kështu, në Universitetin “Eqrem Çabej”, Gjirokastër, u çel programi “Arkeologji dhe Administrim i Pasurive Arkeologjike”, ndërsa në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, u çelën tri programe: përkatësisht “Menaxhim” me profilet: Menaxhim Biznesi dhe Marketing; “Politika dhe Administrim” me profilet: Administrim Publik dhe Administrim Financiar; si edhe “Ekonomi - Biznes” me profilet: Ekonomi Biznesi dhe Financë - Bankë.
Gjermania, ndihmë për arsimin profesional
Republika Federale e Gjermanisë do të vazhdojë objektivat e programit ambicioz qeveritar në fushën e arsimit, sidomos për formimin profesional.
Konfirmimin e ka dhënë ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt, gjatë takimit të sotëm me ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj.
Në takim, sipas zyrës së shtypit pranë Ministrisë së Arsimit, si temë kryesore ishte arsimi dhe formimi profesional, për të cilin mMinistri Tafaj e falënderoi ambasadorin për bashkëpunimin e suksesshëm, kontributin konkret dhe asistencën e Republikës Federale të Gjermanisë dhe ambasadës edhe për fushat e arsimit parauniversitar dhe atë universitar.
Në lidhje me arsimin dhe formimin e mesëm profesional, ministri Tafaj garantoi mbështetjen e MASH-it për lehtësimin e të gjitha procedurave për të mundësuar sigurimin e teksteve të standardeve perëndimore për nxënësit që ndjekin shkollat profesionale.
Ministri Tafaj renditi si përparësi edhe trajnimin e mësuesve të këtij sektori të arsimit, duke theksuar se MASH-i do të ndërmarrë çdo nismë dhe reformë, për të rritur motivimin e stafit dhe krijimin e infrastrukturës së nevojshme për thithjen e sa më shumë nxënësve, që frekuentojnë arsimin e mesëm profesional, si një ndër objektivat kryesore të programit qeveritar.
Në kuadrin e bashkëpunimit institucional, ministri Tafaj garantoi mbështetjen e Ministrisë në zbatimin e suksesshëm të marrëveshjes së nënshkruar mes dy palëve në prill 2009, që parashikon funksionimin e seksionit dygjuhësh gjermanisht-shqip pranë gjimnazit “Sami Frashëri”. Zbatimi i suksesshëm i këtij projekti do t’i çelë rrugë përhapjes së këtij modeli edhe në shkolla të tjera.
Për sa i përket arsimit universitar, bashkëbiseduesit trajtuan çështje që kanë të bëjnë me funksionimin e Fakultetit të Arsimit të Integruar me Praktikën, FASTIP, në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, përfshirjen dhe zgjerimin e partneritetit në këtë projekt me sektorin privat në përmbushjen e objektivave të këtij projekti unik në arsimin e lartë në vendin tonë.
Ambasadori gjerman nga ana e tij i siguroi ministrit mbështetjen e qeverisë gjermane dhe institucionit që ai drejton, për të arritur objektivat e programit ambicioz qeveritar në fushën e arsimit.
Universiteti i Vlorës, rëndohet gjendja e tre grevistëve
Tre prej të diplomuarve që janë në grevë urie në Universitetin e Vlorës, u dërguan dje në spital, pasi nuk përballuan dot grevën. Ndërkohë, të diplomuarit e tjerë kanë paralajmëruar se nuk do të lëvizin, nëse nuk iu plotësohen kërkesat. Pas protestave masive të zhvilluara, këtë herë, një grup studentësh u ngujua në brendësi të kampusit të universitetit, duke nisur një grevë urie pa afat, derisa të plotësohen kërkesat e tyre. “Diploma jonë është një copë kartoni dhe nuk ka në vetvete as nivel, as titull, por citon "Diploma 4-vjeçare në Drejtësi". Fakti tjetër negativ qëndron në atë se nuk njihen nga tregu i punës, sepse nuk është dhënë në përputhje me formatet e miratuara nga MASH-i për diplomat”, - tha për “standard” njëri prej të diplomuarve të këtij universiteti, Aleks Papavangjeli. Ndërkaq, rektori i Universitetit të Vlorës nuk e sheh si një problem këtë rast. “Unë nuk e shoh këtë si problem. Ish-studentët e Juridikut morën një diplomë 4-vjeçare, sepse kryen një kurs studimesh 4-vjeçar. A konsiderohet kjo diplomë si diplomë e integruar, diplomë e nivelit të parë apo të dytë, ky nuk është shqetësimi ynë. Nëse Universiteti i Vlorës do të kishte një Diplomë të Nivelit të Dytë (DND) në Drejtësi, atëherë ne do të gjenim një zgjidhje se si do të konsideroheshin këta studentë dhe sa kredite do t'u quheshin për DND”, - thotë rektori Shaska në një intervistë për mediat lokale.