E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti, qeveria, 130 milionë lekë për banorët e Dibrës



Qeveria dëmshpërblen me 130 milionë lekë banorët e Dibrës, të dëmtuar nga tërmeti i disa ditëve më parë. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u miratua vendimi “Për miratimin e vlerës së dëmeve të shkaktuara në objektet në pronë private, si rrjedhojë e tërmetit rënë në qarkun e Dibrës dhe të listave emërore me vlerat përfituese”. Ky projektvendim ka për qëllim miratimin e vlerës së dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i datës 7 shtator 2009, në qarkun e Dibrës, vlerësimi i të cilave është bërë në bazë të çmimeve të miratuara për këtë qark nga Enti Kombëtar i Banesave. Nga verifikimet e bëra rezulton të jenë 1437 banesa të dëmtuara, me një vlerë dëmesh të llogaritur në mbi 129.359.122 lekë. Në këtë vendim është parashikuar që një pjesë e fondit të përballohet nga Ministria e Brendshme në zërin “Emergjencat civile”, ndërsa pjesa tjetër do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2009. Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, fondi prej 129 359 122 (njëqind e njëzet e nëntë milionë e treqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e njëzet e dy) lekësh, të përballohet: 100 000 000 (njëqind milionë) lekë nga buxheti i vitit 2009, miratuar për Ministrinë e Brendshme; 29 359 122 (njëzet e nëntë milionë e treqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e njëzet e dy) lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Kryerja e pagesave personave përfitues të bëhet nga Këshilli i Qarkut Dibër. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Brendshme dhe Këshilli i Qarkut Dibër për zbatimin e këtij vendimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›