330 mijë lekë ryshfet sekretares së MSH, GJKKO cakton “arrest shtëpie” për administratorin, në burg inxhinieri

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën “arrest shtëpie” për administratorin e një kompanie, Vladimir Topi, pasi akuzohet se i dha ryshfet 330 mijë lekë sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro për të marrë një tender. Teksa ndaj Topit u caktua “arrest shtëpie” për shkak të moshës së tij 73-vjeç, inxhinieri i kompanisë që u shpall fitues i tenderit të MSH, Silvi Shehi është lënë në burg.
Administratori dhe inxhinieri i kompanisë së favorizuar për të fituar tenderin u ndaluan ditën e dielë (4 qershor).
Kujtojmë se Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro dhe Specialistja e Nivelit të Lartë në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, Laura Sheto, u lanë në masën e sigurisë “arrest me burg” nga Gjykatës së Posaçme (GJKKO).
Duro dhe Sheto u arrestuan më 2 qershor, të akuzuar se morën një shumë parash nga një kompani, për ta favorizuar atë për të fituar tenderin për supervizimin e rikonstruksionit të disa qendrave shëndetësore. Sipas SPAK, Duro mori 330 mijë lekë ryshfet.
/rtsh.al/