E Shtunë, 31 Tetor 2026

34 viktima të reja nga dhuna në Siri

Të paktën 34 persona, në mesin e të cilëve 16 civilë, humbën jetën në Siri, pasi armata i përforcoi operacionet kundër disa vendqëndrimeve të protestave dhe u përlesh me ushtarë të dezertuar në afërsi të kufirit turk, kumtuan aktivistët sirian për të drejta të njeriut.

Udhëheqësi i Qendrës siriane për të drejtat e njeriut, Rami Abdel Rahman, e akuzoi armatën për shfrytëzimin e taktikës së "tokës së djegur".

"Ushtria kryen vjedhje dhe plaçkitje. Ky është një lloj dënimi kolektiv, që mund t'u bashkohet krimeve të kryera kundër njerëzimit", theksoi Rahman.

Në anën tjetër, i dërguari i OKB-së dhe i Ligës Arabe, Kofi Annan ka njoftuar se presidenti Bashar al Assad është pajtuar që të tërheqë trupat nga qytetet më 10 prill.

Kjo do të hapte rrugën për një armëpushim me kryengritësit dhe një zbarkim eventual të misionit të OKB-së që do të monitoronte armëpushimin.

Annan ka raportuar para Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi situatën në Siri.

Ambasadorja amerikane në OKB, Susan Rice, tha se Siria duhet të gjykohet nga veprimet dhe jo nga fjalët, duke vënë në pah se Damasku ka dështuar të përmbushë premtimet e ngjashme në të kaluarën.

Ambasadori sirian në OKB, Bashar Jafari, kritikoi vendimin e “Miqve të Sirisë” për t’iu ofruar material mbështetës kryengritësve, duke thënë se kjo shkel rregullat e OKB-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›