35 vatra antraksi në Mat

BURREL - Rishfaqet sëmundja e plasjes tek bagëtitë në rrethin e Matit. Rasti i fundit është konstatuar nga specialistët veterinarë në fshatin Zenisht, mirëpo burimet zyrtare hezitojnë ta bëjnë publik faktin tronditës. Dy gjedhë në këtë fshat janë groposur dje pas “urdhrit” të specialistëve të Drejtorisë së Bujqësisë, të cilët vërejtën se bagëtitë e sëmura ishin prekur nga sëmundja e rëndë e antraksit. “Shqetësimi vjen në rritje”, sqaruan specialistët e blegtorisë, “sepse në jo pak raste çobanët dhe kasapët nuk i njohin simptomat e kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse për njerëzit që ushqehen me mishin e prekur nga antraksi”. Rasti i fundit është izoluar me urgjencë, por rreziku i rishfaqjes së antraksit në rrethin e Matit është evident në çdo moment. Mjekë veterinarë thanë për “Korrierin”, se “është thënë e stërthënë që sëmundja e antraksit, e cila në gjuhën popullore njihet si sëmundja e plasjes, është mjaft e rrezikshme për jetën e njerëzve. “Në rrethin e Matit, - thanë burime të sigurta informacioni pranë zyrës së bujqësisë në këtë rreth, - janë të evidentuara 35 vatra të infektuara me këtë sëmundje vdekjeprurëse”. Rrethi i Matit ka më shumë se 80 fshatra, por fakti që në 35 prej tyre ekzistojnë vatra të tilla, është mjaft shqetësues dhe i rrezikshëm për jetën e banorëve të kësaj treve. Në jo pak raste, mishi i infektuar me antraks është bllokuar në tregjet e qytetit. Ngjyra jonormale e mishit dhe plasaritjet e tij kanë imponuar kasapët ta bllokojnë mishin në momentet e fundit të tregtimit, duke shpëtuar kështu jetën e njerëzve. Në fshatrat e Gurrës, Komësisë, Bazës, Lisit, Kurdarisë etj., janë në gjendje “latente” 35 vatra të rrezikshme të plasjes, të cilat mund të riaktivizohen në çdo moment.