Behrami, fitues në Euro

Pas paraqitjeve të shkëlqyeshme në Euro 2008, interesimi për t’i siguruar shërbimet e lojtarit të kombëtares së Zvicrës, Valon Behrami, është rritur. Këtë e ka konfirmuar menaxheri i shqiptarit, Alessandro Beltrami. “Në ditët e fundit, interesimi i klubeve për Behramin është rritur shumë. Por, një lojtar i kalibrit të tij gjatë tërë sezonit është nën mbikëqyrje”, ka thënë Beltrami për të përditshmen zvicerane “Blick”. Të interesuar për Behramin sipas gazetës “Express”, janë shumë klube nga ligat më të forta të futbollit evropian. Werder Bremen dhe VfB Stuttgart nga Bundesliga, Palermo e Milan nga Seria A dhe Sevilla nga La liga. Deri në fund të këtij muaji, Behrami nuk do të ketë mundësi të nënshkruajë asnjë kontratë të re. Deri atëherë, Lazio mund ta shesë Behramin, mirëpo vetëm me miratimin e tij dhe nëse dikush do të paguajë 12 deri 15 milionë euro. Palermo dhe Milani duken të gatshëm t’i paguajnë ato. Në anën tjetër, Behrami dëshiron që e ardhmja e tij të sqarohet sa më shpejt. “Unë nuk dëshiroj të kem kurrfarë pushimesh. Kështu mund të bëhet vështirë”, thotë ai. Ka 13 muaj që ai pas vete ka edhe të fejuarën, Elenën. Sot (dje), Kombëtarja e Zvicrës do të ndeshet me Portugalinë. Me një paraqitje të mirë, Behrami mund t’ia rrisë çmimin vetvetes. “Vërtet jam i lumtur, nëse Cristiano Ronaldo nuk luan. Ai është lojtari më i mirë në botë, tash për tash. Por më me dëshirë e shoh në televizor të luaj, sesa të luaj kundër tij”, thoshte Behrami para ndeshjes. Megjithëkëtë, ai beson se ka një motivim për të fituar Kombëtarja e Zvicrës. “Ne duhet të përmirësohemi për hir të adhuruesve dhe dëshirojmë të përshëndetemi si duhet nga ky kampionat”, ka shtuar ai. Në çdo përgjigje shihet zemërimi i Valonit, pas humbjes së shansit për të vazhduar garën e Euros. “Ne kemi bërë dy ndeshje fantastike dhe nuk kemi fituar. Ndoshta duhet të mësohemi të luajmë keq, por të fitojmë”, thotë Behrami.