E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana kthehet në Prishtinë

Për Canën, ndeshje shumë domethënëse ishte ajo e së shtunës në Prishtinë, ndërmjet Përfaqësueses së Kosovës dhe Yjeve të Kosovës që luajnë në ligat e huaja. Sipas gazetës “Express” të Prishtinë, Lorik Cana ishte ndoshta më i lumturi që luajti në këtë ndeshje në stadiumin e Prishtinës, sepse aty edhe debutoi me Kombëtaren e Shqipërisë. Skuadra e Yjeve fitoi 3-0 me golat e shënuar nga Njazi Kuqi, Bekim Kastrati dhe përsëri Njazi Kuqi. Në këtë ndeshje ishin nga Kombëtarja e Shqipërisë veç Lorik Canës dhe Kastratit, edhe Debatik Curri. “Për mua ishte një ndeshje e veçantë këtu, edhe përkundër kushteve jo të mira. Me këtë që treguam, mund të them se në të ardhmen kemi mundësi të përfaqësojmë vendin tonë se është më së miri. Pikërisht në këtë stadium ishte edhe ndeshja ime e parë debutuese me fanellën e përfaqësueses shqiptare dhe kisha kënaqësinë të kthehem sërish këtu”, ka pohuar Cana. Ai tha i sigurt, se Kosova brenda pak vitesh do të ketë një reprezentacion të nivelit të njëjtë me Kroacinë dhe Serbinë, siç thotë ai, ndoshta edhe më të fortë. Ai ka thënë se duhet punuar sa më shumë, që talenteve këtu t'u ofrohen kushte më të mira. Ndërkohë, babai i Lorikut, Agim Cana, ish-lojtar i Prishtinës në fitoren historike në Beograd në fillim të viteve 80-të, kundër Crvena Zvezdës, tha se Kosova do të ketë një përfaqësuese të fortë. Agim Cana, i cili në këtë ndeshje drejtoi ekipin e yjeve, ka thënë se ishte kënaqësi të punosh me ata djelmosha. Ai këtë ndeshje e ka quajtur një spektakël të mirë dhe beson se në të ardhmen Kosova do ta ketë një skuadër cilësore. “Me rëndësi është se ndeshja ka rrjedhur si duhet dhe përfundoi në këtë mënyrë. Nuk i njoh shumicën e futbollistëve që luajnë këtu, por mund të them se në të ardhmen mundemi të llogarisim një përfaqësuese shumë të mirë”, tha për “Express” babai i Lorikut, Agim Cana.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›