Figaro për herë të katërt

Pakkush mund ta besonte se djaloshi i talentuar, emri i të cilit është futur në arkivat muzikore të Nju Jorkut, bisedon me dashamirësi me punonjësit e thjeshtë të skenës së TKOB-it. Por ai kështu është, i thjeshtë dhe i dashur me të gjithë, edhe pse ka performuar në skenat më të njohura të botës. Bëhet fjalë për baritonin me famë botërore, Kreshnik Zhabjakun, i cili i rikthehet skenës shqiptare pas 10 vjetësh mungesë. Skena për të përfaqëson një sadisfaksion të papërshkrueshëm, që nuk ka sakrificë në botë që nuk do të bënte. Dhe për t’u rikthyer ka vendosur të sfidojë vetveten me një rol shumë të bukur, njëkohësisht edhe të vështirë në operën botërore. Kreshniku rivjen nën petkun e “Figaros”, veprën rosiniane “Berberi i Sevilies”, që shfaq premierën e saj ditën e mërkurë. Hera e parë që u ngjit në skenë ishte vetëm 4 vjeç, ndërsa në moshën 6-vjeçare kishte memorizuar “Traviatën”. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, duke qenë se rrjedh nga një familje artistësh. Babai i tij është regjisori i famshëm i “Karnavaleve të Korçës”, Ismail Zhabjaku, ndërsa nëna e tij, Nermin Daja, prej 40 vjetësh është pianiste në TKOB. Në moshën 33-vjeçare ai numëron një numër të madh performancash në skenat më të mëdha, si Nju Jork, Misisipi, Teksas, Minesota, Luiziana etj. Ai është gjithnjë në sfidë për të sjellë personazhet më të dashur dhe pjesët më vështira nga ana teknike. Herë si Don Zhuan, herë si Gulielmo, Figaro etj., me vokalin e tij të veçantë ka ditur të mposhtë gjithë vështirësitë e rrugës së gjatë artistike. Në intervistën e dhënë ekskluzivisht për “Korrierin”, solisti i famshëm rrëfen peripecitë dhe arritjet në karrierën e tij si muzikant, por edhe planet e tij më afërta.
-Edhe pse gëzoni një emër në skenat ndërkombëtare, në vendin tuaj pakkush ju njeh. Mund të na flisni disa detaje lidhur me evoluimin tuaj artistik?
“Përballja ime me skenën ka qenë që në moshë shumë të vogël, por në ato kohë studioja violinë. Ndërkaq, në moshën 12-vjeçare fitova çmimin si “Zëri më i mirë”, një kompeticion për artistët e rinj. Më pas përfundova studimet e mesme dhe Institutin e Lartë të Arteve. Asokohe kam kënduar në shumë koncerte brenda dhe jashtë vendit. Hera e parë që jam paraqitur si profesionist, ka qenë kur isha ende student dhe u punësova në TOB. Mbaj mend që roli im i parë ka qenë “Mazzeto” nga opera “Don Zhuani”.
-Përse vendosët të largoheshit?
“Vendosa të bëja një master dhe kështu u largova drejt Amerikës, për të studiuar në një nga shkollat më të mira të Nju Jorkut siç është “Mannes Colege of Music”. Gjatë kësaj kohe kam bërë shumë “Master clas” me emrat më të njohur të muzikës operistike. Pas peripecive të shumta, duke mos pasur as dokumentet, u diplomova për barotin “Vocal performance”. Ka qenë pikërisht emri i kësaj shkolle, që më mundësoi ngjitjen time në skenat më të njohura, siç është “Carnigie Hall”, për dy herë me radhë”.
-Disa nga rolet apo pjesët që ju kanë dhënë vulën e suksesit?
“Kam hapur festivalin e Schuman-it, ku përzgjedhja ka qenë një sfidë jo vetëm me vetveten, por edhe me të tjerët. Më vonë kam debutuar premierë dy pjesë ruse me titull “Margarita Zelanaia”, bërë me muzikën e dy poezive të Çehovit. Kjo është futur në arkivat muzikore të Nju Jorkut. Në vitin 2003 kam marrë pjesë në operën e parë amerikane “Dida and Aeneas”, një eksperiencë e paharrueshme. Gjithashtu kam marrë pjesë në Klubet e Artit Gjerman dhe të vendeve të tjera. Nuk mund të mos përmend që kam kënduar për 10-vjetorin e Nënë Terezës, në katedralen e Nju Jorkut”.
-Si është t’i rikthehesh “Figaros” për herë të katërt?
“Kur i rikthehesh një personazhi, vëren se je rritur së bashku me të, madje arrin ta dashurosh atë. Dhe sa herë i rikthehesh rolit, i jep edhe më të drejtë rolit”.
-Cilët janë rolet që keni më shumë afrimitet dhe ndjeheni më mirë?
“Çdo rol ka bukurinë e tij, por rolin e Don Zhuanit, Figaron etj., që janë pritur shumë mirë nga kritika, i kam për zemër”.
-Planet tuaja më të afërta?
“Pas dy muajsh kam një koncert në Salzburg, për të vijuar me një tjetër koncert në Uashington DC, ku do të këndoj për “Shoqërinë artistike për muzikën e dhomës ruse”.