4 destinacione të reja dhe fluturime shtesë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) njoftoi sot se kompania ajrore Wizz Air do të nisë operimet drejt katër destinacioneve të reja: Stokholm Arlanda, Këln, Billund dhe Tenerife. Po ashtu, do të rrisë frekuencat e fluturimeve drejt Milanos, Brukselit, Torinos dhe Berlinit.
“Kompania do të bazojë avionin e saj të 14-të Airbus A321neo në Tiranë, duke hapur 4 destinacione të reja: Stokholm Arlanda, Këln, Billund dhe Tenerife, si dhe duke rritur frekuencat e linjave ekzistuese drejt Milano, Bruksel, Torino dhe Berlin”, bëri të ditur TIA.
Ky zhvillim, sipas TIA-s ofron mbi 500,000 sedilje shtesë në vit, krijon më shumë se 35 vende pune direkte dhe mbështet mbi 350 vende pune të tjera në industrinë e aviacionit dhe shërbimeve të lidhura.
Me një total prej 57 destinacionesh drejt 17 shteteve, ky zgjerim i Wizz Air forcon lidhjet e Shqipërisë me Europën dhe konfirmon rolin e TIA si një qendër kryesore në rajon.
Në korrik 2025, vendi ynë shënoi një rritje rekord prej 152% të fluturimeve krahasuar me periudhën para pandemisë, duke u renditur i pari në gjithë Europën dhe lider absolut në Ballkan. /j.p/