E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kontrolle në ndërtim dhe turizëm, Muçaj: 35 milionë lekë gjoba për shkelje të kushteve të punës

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Inspektorati Shtetëror i Punës ka zhvilluar gjatë 7-mujorit të parë të këtij viti rreth 5500 inspektime në subjekte të ndryshme, duke përfshirë rreth 110 mijë vende pune.

Kryeinspektori Eljo Muçaj deklaroi në një prononcim për ATSH-në se këto inspektime janë zhvilluar mbi bazën e riskut, duke u fokusuar në ato sektorë dhe subjekte që paraqesin më shumë shqetësime për zbatimin e legjislacionit të punës dhe sigurinë në vendin e punës.

“Fokusi ynë është dyfish, të vlerësojmë zbatimin e ligjit të punës dhe të monitorojmë sigurinë dhe shëndetin në punë. Në këtë drejtim, inspektimet janë zhvilluar në sektorë që paraqesin rrezik më të madh, si ndërtimi dhe turizmi”, tha Muçaj.

Nga rezultatet e inspektimeve, Muçaj theksoi se rreth gjysma e subjekteve të kontrolluara kanë marrë masa administrative.

Këto përfshijnë pezullime, paralajmërime ose gjoba, duke shënuar një rritje prej 883 masash krahasuar me një vit më parë.

“Në total, 132 gjoba janë vendosur, me një vlerë prej 35 milionë lekësh të reja, një rritje prej 10% nga viti i kaluar. Shumica e shkeljeve, rreth 70% kanë të bëjnë me zbatimin e kodit të punës, 25% lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë, dhe 5% me mospagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, deklaroi ai.

Gjatë sezonit turistik, vijoi Muçaj, inspektimet kanë nxjerrë në pah probleme të vazhdueshme, si punonjës të padeklaruar, orë të zgjatura pune, informalitet dhe mos pagesa e sigurimeve. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›