4 mijë mjekë kërkojnë të vazhdojnë studimet
Konferenca, seminare, studime, pjesëmarrje në aktivitete shkencore e takime ndërkombëtare, janë disa nga kërkesat që duhet të përmbushin mjekët për të mbajtur vendin e punës, si dhe për t’u ricertifikuar. Tashmë është marrë vendimi që mjekët, punonjësit e shëndetësisë, duke përfshirë farmacistët dhe stomatologët, duhet të ndjekin “mësimet” e edukimit në vazhdimësi dhe jo të mbyllin librat fill pas përfundimit të universitetit.
Konkretisht do të ketë disa rregulla për punonjësit e shëndetësisë dhe ata të cilët nuk i ndjekin dhe nuk plotësojnë kreditet e kërkuara do të jenë të detyruar t’i nënshtrohen testit.
CertifikimiDeri tani pranë Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, sipas drejtoreshës Entela Shehu, janë regjistruar rreth 6 mijë mjekë, farmacistë dhe stomatologë. Ndërkohë, formulari i regjistrimit profesional është dërguar për herë të dytë pranë institucioneve shëndetësore në të gjithë vendin.
Ricertifikimi i punonjësve të shëndetësisë do të kryhet çdo pesë vjet. Gjatë këtij viti, të gjithë mjekët, stomatologët dhe farmacistët duhet të kenë rreth 10 kredite.
Një orë pjesëmarrje në një konferencë shkencore të akredituar brenda apo jashtë vendit i korrespondon një kredit. Progresivisht deri në 2014-n profesionistët në fushën e shëndetësisë duhet të kenë të grumbulluara rreth 150 kredite. Në të kundërt, Fakulteti i Mjekësisë në bashkëpunim me urdhrat përkatës, të mjekut apo farmacistit, do të kërkojë testimin e kësaj kategorie që nuk plotëson numrin e krediteve. Numri i krediteve nuk do të llogaritet vetëm nga pjesëmarrja në aktivitete, por dhe artikujt shkencorë, pjesëmarrja në hartimin e kurrikulave universitare ose jo universitare, apo veprimtari të tjera kërkimore shkencore.
Sipas drejtuesve të QKEV, në të gjitha rastet gjysma e krediteve të fituara, rreth 50 për qind e 150 krediteve, duhet të jenë të lidhura me profilin mjekësor të profesionistit.
SeminariMinistria e Shëndetësisë dhe Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim organizuan dje seminarin me temë: “Programi i ricertifikimit të profesionistëve të shëndetësisë dhe akreditimi i aktiviteteve të edukimit në vazhdim”. Qëllimi i këtij seminari ishte njohja e drejtuesve të institucioneve shëndetësore mbi edukimin në vazhdim të profesionistëve të shëndetësisë, si dhe me programin e ricertifikimit. Pjesëmarrës në takim ishin drejtorë të spitaleve, shefa të shërbimit spitalor dhe drejtorë të institucioneve në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët u informuan në lidhje me aspektet kryesore të programit të ricertifikimit, procedurat përkatëse, detyrimet dhe përgjegjësitë e profesionistit të shëndetësisë. Njohja e aspekteve kryesore të akreditimit të aktiviteteve të edukimit në vazhdim ishin pjesë e këtij takimi. Drejtuesit e institucioneve shëndetësore u njohën në lidhje me planifikimin dhe organizimin e aktiviteteve të edukimit në vazhdim për personelin e tyre.
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në këtë aktivitet e cilësoi edukimin në vazhdim si një hap të rëndësishëm të reformës, në të cilën është përfshirë i gjithë sistemi shëndetësor në vend.