Pas luftës për cirkun, beteja për estradën
Teatri Kombëtar i Humorit dhe Satirës është një institucion i pazëvendësueshëm dhe duhet të fillojë të funksionojë me mbështetjen e qeverisë, pasi ai iu la tregut dhe tregu e zhduku fare. Në memorien e qytetarëve mbahen mend artistë të shkëlqyer e të dashur në interpretimin e këtyre veprave, por atyre iu zhduk skena. Kjo analizë e shkurtër është paraqitur nga Kryeministri i vendit, Sali Berisha. Pas diskutimeve pak kohë më parë, lidhur me cirkun e Tiranës, problemet e andrallat, ardhja e pranverës ka çelur një tjetër debat, atë të estradës.
Kryeministri Berisha kërkoi dje nga ministri i Kulturës ringritjen e Teatrit Kombëtar të Humorit dhe Satirës dhe zhvillimin e këtij zhanri të dashur për qytetarët, por të lënë në harresë në kohë. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë gjatë prezantimit të rendit të ditës Kryeministri Berisha theksoi se në vend që ai që quhej Teatri i Estradës të lartësohej në një teatër komedie dhe satire, sot nuk funksionon më.
çështja e estradës“Gjatë këtyre 20 viteve, kultura dhe artet në Shqipëri kanë një shpërthim të pakrahasueshëm. Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar zhanre të reja, të cilat më parë konsideroheshin heretike apo skajoheshin me të gjitha mjetet. Letrat shqipe kanë njohur hapësira të reja, por edhe talente. Po ashtu piktura dhe kënga shqiptare është përfaqësuar me dinjitet të madh në të gjitha ekspozitat dhe skenat botërore”, theksoi Kryeministri. Sipas tij, fati i komedisë dhe satirës shqiptare është i dhimbshëm.
“Në vend që ai që quhej teatri i estradës të lartësohej në një teatër komedie dhe satire, nuk funksionon më. Siç duket e ‘hëngrën’ pallatet edhe atë. Imagjinoni që betoni të viktimizojë humorin dhe satirën e një kombi, se çfarë goditje të rëndë i japin atij. Goditje shumë të hidhur”, deklaroi dje Kryeministri lidhur me këtë çështje.
Sipas tij, këto janë gjini të pazëvendësueshme në krijimtarinë e një populli. Por, në qoftë se nuk kanë ku të shprehen, natyrisht, edhe krijuesit nuk kanë stimulin e duhur për t’i lëvruar më tej ato.
Mbështetja e QeverisëKryeministri tha dje para Këshillit të Ministrave se nevojitet rivendosja e teatrit të komedisë dhe humorit shqiptar. Sipas tij, komedia luhet në teatër kombëtar, por krijimi i tij në çdo vend është i domosdoshëm.
“Ndaj zoti ministër, të gjendet salla, t’i jepet një karakter kombëtar teatrit dhe jo lokal, pasi nëse do t’i jepnim karakter lokal sërish do ta ‘hante’ betoni dhe të përcaktohen stimuj, në mënyrë që të rindërtohet ai, pasi, faktikisht, përveçse përpjekjeve të disa televizioneve që janë për t’u lavdëruar, ndonëse edhe ata nuk i lënë mesazhet, ekrani nuk e zëvendëson skenën”, theksoi Berisha.
#