Deklarata e PSE: Ballkani, në BE brenda vitit 2014
Partitë Socialiste dhe Socialdemokrate të Europës mbështesin anëtarësimin e plotë të Ballkanit në Bashkimin Europian brenda vitit 2014. E njohur ndryshe edhe si Zgjerimi 2014, plani grek ka gjetur dje në Bosnjë një miratim unanim nga të majtët, të cilët me këtë rast kanë publikuar edhe një deklaratë të përbashkët. “PSE-ja e miraton fuqimisht vizionin për Zgjerimin 2014... Kjo është një datë ambicioze, por megjithatë e mundshme, e cila nënkupton edhe përmbushjen e kritereve të anëtarësimit të përcaktuara nga ana e BE-së”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga PSE në aktivitetin me temë “Shoqëritë progresiste në Ballkan”. Dokumenti e vlerëson fitoren e partive të majta në Ballkanin Perëndimor si një mundësi më shumë për të perceptuar ndryshimet në mentalitetin e këtij rajoni, ç’ka rrit bazën realiste për të shpresuar tek axhenda e Zgjerimit 2014. Po kështu, një element shumë i rëndësishëm është edhe përfshirja në deklaratë e mbështetjes për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, për të cilat PSE kanë ofruar edhe një datë të afërt lidhur me këtë proces. “Shqipëria, por dhe Bosnjë–Hercegovina mund të përfitojnë nga liberalizimi i vizave qysh në Korrik 2010. Liberalizmi i vizave mbetet shtyllë themelore për aderimin në BE...”, nënvizon dokumenti i miratuar nga të majtët europianë.
#