4-vjet Pavarësi, Topi-Jahjaga: Shqiptarët kontribut për paqen në rajon

Kreu i shtetit Bamir Topi ka uruar sot presidenten kosovare Atifete Jahjaga me rastin e 4-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Përmes një bisede telefonike, kreu i shtetit i transmetoi personalisht edhe njëherë Presidentes Jahjaga dhe nëpërmjet saj, mbarë popullit të Kosovës, urimet më të mira e të përzemërta me rastin e Ditës së Pavarësisë.
Ai i ka shprehur njëkohësisht homologes kosovare vlerësimet dhe konsideratat më të larta për rolin e vyer të institucioneve të Kosovës në ruajtjen e integritetit territorial, në konsolidimin e së ardhmes së begatë e të integruar në gjirin e strukturave euro-atlantike si dhe për dhënien fund të pavarësisë së mbikëqyrur.
Gjithashtu, gjatë bisedës Presidenti Topi dhe Presidentja Jahjaga ndanë të njëjtat pikëpamje mbi rolin dhe kontributin e rëndësishëm të faktorit shqiptar për ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon.
Me këtë rast Presidenti Topi e ftoi Presidenten Atifete Jahjaga për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë që u pranua me kënaqësi nga Presidentja e Kosovës dhe vizita e saj do të realizohet në një kohë sa më të afërt.