E Diel, 1 Nëntor 2026

40 ditë burg për kryetarin e komunës, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge

Kleves Muja

Vlerësim të ligjshëm të arrestit të një dite më parë dhe caktim si masë sigurie burgim me afat  40 ditë për kryetarin e komunës Rrethina në Shkodër, ka vendosur gjykata e shkallës së parë në Shkodër.

Para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari, Arbër Çela, përfaqësuesi i akuzës, prokurori Ermir Lelçi ka lexuar akuzën Trafik Ndërkombëtar Narkotikëve, mbështetur në disa prova.

Pasi ka lexuar këto prova, prokurori Ermir Lelçi ka kërkuar vlerësimin si të ligjshëm  të arrestimit të shtetasit Kleves Muja, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë së shtetit të Italisë, mbi bazën e urdhër arrestit të caktuar me vendim nr 1101 RGNR-DDA-Nr 4898/06 RG GIP datë 29.10.2009 të Gjykatës së Barit Itali, për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të narkotikeve me datë 31.05.2011 nga Gjykata e Firences në Itali për veprën penale të trafikut ndërkombëtar narkotikëve parashikuara nga neni 81 dhe 110 i Kodit Penal Italian, ku maksimumi i dënimit është 20 vjet burgim, referuar nenit 283/a/2, 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Si masë sigurie, prokurori ka kërkuar që ndaj Mujës, të caktohet masa e sigurisë arrest me burg me afat 40 ditë. Vendimi do i njoftohet Ministrisë së Drejtësisë, në kohën më të shkurtër të mundur me qellim respektimin e afateve proceduriale mbi ekstradimin.

Avokati  mbrojtës, Ardian Visha, ka kërkuar të rishikojë informacionin, provat që disponon organi i prokurorisë. Ai ka theksuar se lidhur me arrestin e Mujës ka  paligjshmëri.

Sipas tij neni 495 ka të bëjë me një rast të ngutshëm kalimi tranzit të një shtetasi të kërkuar nga një vend anëtar. Shtetasi Kleves Muja është shtetas shqiptar  jo vetëm i mirë lokalizuar nga autoritetet në Shkodër por dhe i përzgjedhur. Arresti i tij as nuk është dhe as nuk do jetë i ngushtëm dhe rasti i tij do ishte ai i rregulluar me një dispozitë me lart.

Lidhur me masën e kërkuar,Visha ka deklaruar se konventat e zbatueshme në këtë rast nuk urdhërojnë arrestin në burg dhe nuk disiplinon si masë sigurie arrestin në burg por  sipas  neni 493, 494 përshkruajnë nevojën e një mase shtrënguese.

Avokati Visha ka kërkuar zbutjen e masës së kërkuar nga prokurori, caktimin e një mase më të butë, arrest shtëpie, nisur dhe nga personaliteti i klientit të tij, i zgjedhur nga votuesit për të drejtuar komunën më të madhe në Shkodër ndërsa ka deklaruar se refuzohet ekstradimi në Itali sepse urdhër arresti është i 2009-ë. Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë dhe Kleves Mujës iu caktua si masë sigurie arrest me burg për 40 ditë. /Anila Dushi/

Shkodër, kërkohej në Itali për trafik droge, arrestohet kreu i komunës Rrethina

Është shoqëruar nga policia e Shkodrës,kryetari i komunës Rrethina në Shkodër, Kleves Muja. Burime nga policia e Shkodrës bëjnë të ditur se shoqërimi i  kryekomunarit është bërë për Policinë e Shtetit  në Tiranë e cila ka marrë një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga Italia për këtë shtetas.

Policia e Shkodrës e ka shoqëruar Mujën teksa ky po zbriste nga makina në lagjen “Rus” në Shkodër ndërsa sipas saj ndaj Mujës nuk ka ndonjë akuzë në Shkodër.

Kleves Muja u zgjosh kryetar i komunës Rrethina në Shkodër në zgjedhjet e 8 majit 2011 ku ai përfaqësonte PS dhe koalicionin e saj ndërsa fitoi përballë kandidatit të PD i cili kishte drejtuar këtë komunë në mandatin e mëparshëm. Komuna Rrethina është komuna më e madhe në qarkun e Shkodrës. /A.Dushi/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›