E Shtunë, 31 Tetor 2026

40 të vdekur pas një aksidenti të rëndë në Peru

Një autobus i mbushur përplot me udhëtarë ka rënë në një humnerë në Ande, në jug të Perusë, me ç’rast kanë humbur jetën së paku 40 persona, ka njoftuar policia.

Së paku 60 udhëtarë kanë qenë në autobusin, i cili po udhëtonte nga qyteti Arequipa në drejtim të San Tomasit, në momentin kur autobusi doli nga rruga dhe u rrokullis së paku 200 metra poshtë një shpati, deklaroi kapiteni i policisë, Juan Suarez.

“Aktualisht kemi 40 të vdekur dhe nuk e di numrin e saktë të te lënduarve, por supozoj se janë 10”, tha Suarez.

Mediet lokale njoftuan për 41 të vdekur dhe 21 të lënduar, duke shtuar se kompania, pronë e së cilës ka qenë autobusi i aksidentuar, ka punuar pa leje që nga viti 2008.

Zyrtari i policisë së komunikacionit, Enrique Medri, theksoi se ka raporte se autobusi ka bartur më shumë udhëtarë se sa që ka qenë e lejuar, duke shtuar se në autobus kanë qenë mbi 60 udhëtarë.

Gazeta El Commercio njoftoi se një zyrtar i policisë së komunikacionit ka konfirmuar se kompanisë transportuese Guapo Lindo i ishte marrë leje, ngase ajo gjatë veprimtarisë së saj kishte shfrytëzuar edhe disa rrugë ilegale.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›