40 vjet balet
Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, dhe njerëz të fushës së artit nga Kosova dhe vende të tjera.
Ministri Krasniqi vlerësoi se Baleti Kombëtar i Kosovës është pjesë e kthesave të mëdha për Kosovën, pasi ka lindur në kohën kur rinia në Kosovë kishte filluar përpjekjet për liri dhe barazi. “Mendjet tona sot pashmangshëm shkojnë tek të gjithë ata që për kaq vjet i kanë dhuruar publikut emocione të mëdha dhe kanë pasuruar artin dhe kulturën në vend. Vërtetë është për t’u çmuar puna e tyre në ato kohëra të vështira. Dua të shpreh falënderim po ashtu për të gjithë ata miq të Baletit të Kosovës, nga vende të ndryshme, që për 40 vjet kanë qëndruar pranë nesh”, tha ai, teksa ka shtuar se 40 vjet janë një histori e gjatë por shtoi se në fakt Baleti Kombëtar i Kosovës është ende i ri. “Këtë e them kur shoh balerinët, të ri që me plot vullnet dhe pasion po e mbajnë gjallë baletin në Kosovë”.
Sikur edhe në përgjithësi shoqëria, edhe Baleti ka shumë sfida, tha ministri Krasniqi. Por ai shtoi se ky institucion është shumë më mirë se dje, e natyrisht që nesër do të jetë edhe më mirë se sot. “Siç e dini qysh nga fillimi i vitit të kaluar gjithë krijuesit dhe performuesit e artit, e në këtë rast gjithë anëtarët e Trupës së Baletit, pas dhjetë vjetësh, e kanë të zgjidhur statusin juridik dhe atë financiar. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të vazhdojë të punojë me shumë përkushtim që përkrahja për gjithë kulturën të jetë edhe më e madhe, dhe Baleti në këtë rast të përfaqësojë edhe më denjësisht Kosovën, siç ka bërë deri më tash, në skena ndërkombëtare”, deklaroi ministri Krasniqi në fjalën e tij. Në emër të MKRS-së ai i ka ndarë një mirënjohje, drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimajt për punën që ka bërë që nga hapat e parë të Baletit, e sidomos pas periudhës së pasluftës.
Nga ana tjetër, drejtori i Baletit ka kujtuar disa nga momentet e veçanta dhe të rëndësishme që ka pasur ky institucion nëpër vite. Brahimaj tha se sfidat kanë qenë të shumta por vullneti dhe pasioni kanë mbajtur gjallë Baletin Kombëtar të Kosovës. Ai ka falënderuar MKRS-në, e në veçanti ministrin Krasniqi për përkrahjen që I ka dhënë Baletit. Drejtori ka shprehur një mirënjohje për gjithë ata koreografë e balerinë nga shumë vende që kanë dhënë një kontribut të çmuar në ngritjen dhe zhvillimin e kësaj trupe në Kosovë.
“Ne do të vazhdojmë që edhe me më shumë energji të punojmë”, tha ai.
Në këtë ceremoni Trupa e Baletit ka dhënë për publikun shfaqjen “Dasma” të koreografit turk Mehmet Ballkan.