40 vjet nga skandali Watergate

Ajo që filloi si një hyrje fshehurazi në zyrat e Partisë Demokrate në kompleksin Watergate në Washington, solli dorëheqjen e presidentit Richard Nixon. Kjo ngjarje vazhdon të ketë jehonë edhe sot për politikanët dhe ambiciet e tyre.
Gjithçka filloi në orët e para të mëngjesit të 17 qershorit të vitit 1972. 5 burra që punonin për fushatën e rizgjedhjes së presidentit Nixon u arrestuan, ngaqë po përpiqeshin të futeshin në zyrat e Partisë Demokrate në kompleksin Watergate.
Gazetarët e Washington Postit, Carl Bernsetin dhe Bob Woodward e mbuluan këtë ngjarje për gazetën e tyre dhe zbuluan se çështja Watergate ishte vetëm pjesë e një programi të përpunuar që kishte filluar të zbatonte fushata për rizgjedhjen e Richard Nixonit, me synimin që të minonte kundërshtarët politikë të presidentit.
Hetime kriminale dhe ato të Kongresit pasuan njoftimin e Washington Postit dhe zbuluan një aktivitet të fshehtë nga fushata e presidentit Nixon dhe nga Shtëpia e Bardhë, duke përfshirë edhe vetë Presidentin.
Gjatë seancave të dëshmive në Senat në vitin 1973 u zbulua se Nixoni i regjistronte bisedat e tij në Shtëpinë e Bardhë dhe këto kaseta me regjistrime në fakt ndihmuan për të provuar përfshirjen e presidentit në përpjekjet për mbulimin e çështjes.
Sapo regjistrimet e Shtëpisë së Bardhë treguan përfshirjen e Presidentit në përpjekjet për të mbuluar çështjen, presidenti humbi mbështetjen bazë të Partisë Republikane në Kongres dhe ai dha dorëheqjen në gusht të vitit 1974.
Pas dorëheqjes së Nixonit, nënpresidenti Gerald Ford bëri betimin si president dhe u përpoq menjëherë të shëronte vendin e përçarë.
Historiani i Universitetit Amerikan, Allan Lichtman, thotë se Watergate mbetet përpjekja më serioze nga një president dhe ekipi i tij për të minuar procesin demokratik të vendit.