41 vjetori i Takimeve të Gjeçovit

Të shtunën, më 14 prill, në Zym të Hasit, komuna e Prizrenit, mbahet edicioni i 41-të i manifestimit letrar, kulturor e shkencor ‘Takimet e Gjeçovit 2012’.
Manifestimi, i cili fillon në orën 10:00, organizohet nga Klubi letrar ‘Shtjefën Gjeçovi’ në Zym, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Drejtorinë për Kulturë të komunës së Prizrenit dhe famullinë e Zojes së Hasit në Zym.
Me këtë rast, do të bëhet përurimi i obeliskut ‘310-vjetori i strehimit të Ipeshkvisë së Shkupit në Zym’. Po ashtu do të mbahet edhe ora letrare ‘Anton Pashku’, do të mbahet një program kulturor-artistik i SHKA ‘Katarina Josipi’ të Zymit dhe do të bëhet hapja e ekspozitës figurative me vepra të Kurbine Çollakut.
Manifestimi ‘Takimet e Gjeçovit’ për çdo vit është mbajtur në tetor, ndërsa organizatorët, prej këtij viti, kanë vendosur që këtë manifestim ta mbajnë në prill.