E Diel, 1 Nëntor 2026

42 mijë jetimë apel qeverisë: “Karta falas ose do të bojkotojmë zgjedhjet”



Përfaqësues të kategorisë së jetimëve i kanë bërë dje apel qeverisë që ti pajisë falas me kartë identiteti. Në të kundërt, shoqata e jetimëve kërcënon se kjo kategori njerëzish do të bojkotojë zgjedhjet. Shoqata e Jetimëve të Shqipërisë ka reaguar paraditen e djeshme për kartat e identitetit më të cilat do të votohet në zgjedhjet e parlamentare të qershorit. Të mbledhur posaçërisht për këtë çështje, drejtues të shoqatës kanë deklaruar: “Jemi më të varfër se romët. Na jepni karta falas, ose përndryshe do të bojkotojmë zgjedhjet”. Hapi i parë, që jetimët kanë vendosur të ndërmarrin për zgjidhjen e çështjes së kartave, është nisja protestave për çmimin e tyre. Madje jo vetëm kaq, por sipas drejtuesve të shoqatës së jetimëve, protestat e tyre nuk do të përqendrohen vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe. Aktualisht në vendin tonë numërohen rreth 42 mijë jetimë, me të drejtë vote. Vendimi i marrë dy ditë më parë, nga kryeministri i vendit, Sali Berisha për pajisjen e komunitetit romë me karta falas, ka bërë që pas reagimit të komunitetit egjiptian, edhe jetimët të kërkojnë të pajisen pa pagesë me kartë identiteti.

Në qershor, plotësohet kërkesa e Berishës për largimin e fëmijëve nga rruga

Në fund të mandatit, Ministria e Punës do të plotësojë kërkesën e kryeministrit për largimin e fëmijëve nga rruga. Ligji integral për fëmijët që do të garantojë të drejtat e ligjshme të tyre si dhe do të përcaktojë institucionet përgjegjëse për këtë qëllim është drejt përfundimit. Drejtori i Përgjithshëm i Politikave i Ministrisë së Punës, Gjergji Leka, bën të ditur se ligji parashikohet të kalojë për miratim në qeveri në muajin qershor. Aktualisht, grupi i punës, i ngritur enkas për këtë iniciativë ligjore, po punon për përgatitjen e një analize për çështjet që kanë të bëjnë me fëmijët dhe një analizë ligjore për kuadrin ligjor të tyre. Ky grup pune përbëhet nga përfaqësues të ministrive të linjës dhe UNICEF. Hartimi i këtij ligji vjen pas kërkesës publike që kryeministri Sali Berisha i drejtoi në qershor të vitit 2008 Ministrisë së Punës për marrjen e masave të veçanta me qëllim që në rrugët e Shqipërisë të mos ketë më asnjë fëmijë “me dorë të shtrirë”. Ligji integral për mbrojtjen e fëmijëve do të përgjigjet për ato probleme që nga ana ligjore sot janë të pambuluara. Bëhet fjalë për kategoritë e fëmijëve si: jetimët, fëmijët e rrugës, të dhunuar, romët, fëmijët e ngujuar, ata me probleme shëndetësore, që nuk janë të mbuluara 100 për qind nga ligji.

10 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›