Ish-ushtarakët, zbardhet fondi për pensionet suplementare
Jonida Tashi
Zbardhet fondi i miratuar nga qeveria për pensionet suplementare të ish-ushtarakëve për vitin 2009. Qeveria, megjithëse nuk ka miratuar ende draftin e ri për trajtimin me pension të ish-ushtarakëve, ka vendosur që në total fondi për pensionet suplementare të jetë mbi 13 miliarde lekë. Lajmi bëhet i ditur nga zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu. Numri dy i Financave shprehet: “Tashmë fondi është vlerësuar dhe shtuar në programin përkatës për pensionet suplementare të ish-ushtarakëve dhe ky fond nuk del dot si zë më vete”. Kjo do të thotë se për trajtimin me pension suplementar të ish-ushtarakëve do të përdoret fondi i mësipërm, ndërsa masa do të jetë në varësi të vendimit që pritet të marrë qeveria për trajtimin e tyre me pension. Përfitues nga ligji për pensionet suplementare të ish-ushtarakëve nuk do të jenë vetëm ata që kanë dalë në rezervë para vitit 2004, për shkak të reformës, por dhe ata të liruar në vitet e fundit. Për këtë vit, qeveria ka parashikuar rritjen e përfituesve dhe me rreth katërqind ushtarakë. Kështu, nga 21 300 ushtarakëve që janë parashikuar tu mbulohet pagesa e kontribuuesve, 20 800 janë rezervistë të para vitit 2007, ndërsa pjesa tjetër i përket vitit 2008.
Fondi
Fondi i parashikuar në buxhetin e shtetit për trajtimin me pension suplementar të ish-ushtarakëve është përllogaritur dhe në bazë të projektligjit që pritet të miratohet së shpejti në qeveri. Sipas përcaktimeve të bëra nga grupet e punës, që janë marrë me hartimin e draftit të ri, masa e pensionit suplementar do të llogaritet në bazë të periudhës së lirimit nga detyra si dhe kontributeve të derdhura për vitet shtesë. Ndërsa masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi do të jetë rreth 50 për qind e pagës referuese, ndërsa për çdo vit tjetër shtesë do të ketë rrite të tjera me nga 2 për qind. Sakaq, është vendosur që për të gjitha vitet e shërbimit, për të cilat janë derdhur kontributet shtesë, konkretisht për ato të pas 2004-s, do të ketë rritje të masës së përfitimit. Por këto shtesa do të pësojnë rritje deri në një kufi të caktuar, i cili nuk do të jetë më shumë 50 për qind e pensionit maksimal që përfitojnë.
Zbatimi
Zbatimi i fondit prej 13 milionë lekësh, i miratuar në buxhetin e shtetit për vitin 2009, do të jetë në varësi të ndryshimeve që do të bëhen në ligjin e ri për pensionet e ish-ushtarakëve. Për rrjedhojë, ky fond mund të pësojë ndryshime të vazhdueshme dhe në bazë të ecurisë së diskutimeve dhe pikave që do të jenë pjesë e draftit përfundimtar. Në bazë të ligjit për llogaritjen e pensioneve të kësaj shtrese, është përcaktuar që për vitin 2009 të mbulohet me fond të veçantë derdhja e kontributeve për sigurimet suplementare të ish-ushtarakëve. Pra, sigurimet e nevojshme për vitet e lirimit nga detyra do të mbulohen nga buxheti i shtetit dhe do të shërbejnë si vjetërsi pune në llogaritjen e pensionit për individët përkatës. Ndërkohë pagesa e këtyre kontributeve do të realizohet vetëm pas miratimit të draftit nga qeveria si dhe kalimit të tij në komisionet parlamentare. Ky draft pritet të miratohet para muajit qershor, pasi ky muaj përkon me hapjen e fushatës elektorale, gjë që do të pezullojë dhe punimet e Parlamentit. Por, pavarësisht se grupet e punës në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Financave kanë përfunduar hartimin e draftit të ri në lidhje me skemën konkrete mbi të cilën do të bëhet llogaritja e pensioneve për ish-ushtarakët, pritet që diskutimet për këtë çështje të vijojnë ende nga ekspertët e qeverisë.
Paketa
Miratimi i këtij drafti do të shoqërohet me miratimin e një pakete të përbashkët, në të cilën do të përfshihen jo vetëm pensionet e ushtarakëve të liruar në rezervë, por dhe ato të Policisë së Shtetit dhe punonjësve të Gardës. Hartimi i kësaj pakete aktualisht ende po diskutohet në Këshillin e Ministrave dhe pritet që të bëhet publik brenda një kohe të shkurtër. Brenda këtij afati do të publikohet dhe paketa integrale e pensioneve për të gjitha kategoritë e ushtarakëve. Sipas drejtuesve të Shoqatës së Ushtarakëve, ky krahasim midis punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës dhe ish-ushtarakëve është i vështirë të realizohet, pasi pensioni i një ish-ushtaraku nuk mund të barazohet më rrogën e një punonjësi policie. Megjithatë, grupet hartuese të këtij drafti kanë përcaktuar që llogaritja e pensioneve për ushtarakët do të bazohet në skemën e derdhjes së kontributeve dhe kohës së daljes nga detyra. Përparësi në këtë rast do të kenë ato kategori që kanë kontribuar në skemën e sigurimeve për një kohë të gjatë dhe dalja e tyre nga detyra është bërë pas vitit 2004. Këta të fundit, do të përfitojnë dhe masën më të lartë të pensionit krahasuar me grupet e tjera.
Skema e sigurimit suplementar
Të ardhurat, gjithsej 4 546 milionë lekë
Nga të cilat:
Kontributet 190 milionë lekë
Transferimet nga buxheti i shtetit 4 356 milionë lekë
Shpenzimet 4 546 milionë lekë
Dokumentet për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe pension suplementar
Mosha
Certifikatë të gjendjes familjare
Periudhën e vjetërsisë së shërbimit aktiv si ushtarak
Vërtetim për vjetërsinë e shërbimit aktiv si ushtarak, nga dikasteri përkatës
Vërtetim për internimin për motive politike
Dëshmi penaliteti
Vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit për motive politike
Të ardhurat
Vërtetimet sipas përfitimeve
Për pensionin suplementar të pleqërisë së ushtarakut
Vërtetim nga dega e përfitimeve në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, që ushtaraku i dalë në rezervë ose në lirim përfiton pension pleqërie nga skema e detyrueshme e
sigurimeve shoqërore.
Për pensionin suplementar familjar të familjarëve në ngarkim të ushtarakut
Certifikatë vdekje e ushtarakut
vërtetim nga dega e përfitimeve e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, që përfitohet pension familjar nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, në të cilin të
shënohet lloji i pensionit familjar ( i rrjedhur nga një vdekje natyrale, ose nga aksident në punë), dhe pjesëtarët në ngarkim të cilët e përfitojnë atë.
Për pensionin suplementar të invaliditetit
Vërtetim nga dega e përfitimeve e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, që ushtaraku i dalë në rezervë ose në lirim përfiton pension invaliditeti nga skema e detyrueshme
e sigurimeve shoqërore në të cilin shënohet: pensioni i invaliditetit që përfitohet është i plotë apo i pjesshëm, dhe nëse pensioni i invaliditetit është i caktuar si rezultat i një aksidenti në punë ose si rrjedhojë e një sëmundje të përgjithshme.
Për përfitimin suplementar për rehabilitim ose parandalim sëmundjeje
Vërtetim nga dega e përfitimeve e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, në të cilin shënohet që ushtaraku i cili ka ndryshuar vendin e punës përfiton kompensim sipas ligjit përkatës dhe periudha për të cilën ai e përfiton këtë kompensim.
10 Prill 2009