Ndihma ekonomike, pesë grupet e reja që do të favorizohen në llogaritjen për 2009-n
Jonida Tashi
Depozitohet për miratim në qeveri drafti me kategoritë e reja që do ti shtohen skemës së ndihmës ekonomike. Lajmi konfirmohet nga drejtori i Politikave në Ministrinë e Punës, Gjergji Leka. Përveç miratimit të kategorive të reja, që do të përfshihen së shpejti në skemën e ndihmës, Gjergji Leka, bën të ditur se projektligji parashikon që pagesa e tyre do të rritet bashkë me pagat e punonjësve buxhetorë, më datën 1 maj. Sipas drejtorit të Politikave në Ministrinë e Punës, pas miratimit në qeveri, do të jenë komisionet kuvendore të cilët mund të kenë propozime të reja për shtimin e kategorive të tjera të cilat duhet të përfitojnë asistencë sociale nga shteti.
Kategoritë
Aktualisht grupi ndërministror i punës ka përcaktuar kategoritë e personave që parashikohet të shtohen në skemë. Sipas përcaktimeve të bëra nga ekspertët e grupit ndërministror, skemës parashikohet t’i shtohen kategoria e grave të dhunuara, jetimët, fëmijët e birësuar dhe personat me aftësi të kufizuar, të cilët nuk përfitojnë ndihmë sipas ligjit të vitit 1995 për shërbimet shoqërore. Jetimët dhe viktimat e trafikimit, janë dy kategoritë e reja përfituese të NE-së. Për këto dy kategori është propozuar që në nenin 5 të ligjit 9355 të ndihmës ekonomike, përveç “Familjeve që nuk kanë të ardhura ose që janë me të ardhura të pamjaftueshme”, “Jetimët mbi 25 vjeç, të papunë, të cilët nuk janë në institucione ose nën kujdestari” si dhe “Prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë”, të shtohen edhe dy kategori të reja përfituesish të NE-së që janë: Jetimët të cilët nuk janë në institucione; dhe viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror.
Të favorizuarit
Në ligjin bazë 9355, nenit 19 pas pikës 3, propozohet t’i shtohet një pikë e re, (pika 4), ku përcaktohen pesë grupet të reja që do të favorizohen në procesin e llogaritjes së përfitimit së NE-së. Grupet që do të favorizohen, përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, kur familjet në nevojë kanë: Si kryefamiljar, njërin nga fëmijët, për arsye të vdekjes së të dy prindërve; Si kryefamiljar, njërin nga fëmijët, kur njëri prej prindërve është dënuar për vepra penale ose kundërvajtje penale me vendim të formës së prerë të gjykatës, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; Si kryefamiljar, njërin nga fëmijët, kur një prindi i është hequr e drejta prindërore me vendim gjykate, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; Si kryefamiljar nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; Si kryefamiljar një pjesëtar të familjes që është mbi moshë pune dhe që nuk përfiton pension si dhe kur ka anëtarë e familjes së tij janë mbi moshë pune dhe nën moshë pune të cilët nuk përfitojnë pensione.
Kategoritë që do preken nga drafti i ri për ndihmën ekonomike
Jetimët të cilët nuk janë në institucionet e përkujdesit shoqëror
Viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror
Familjet në nevojë që kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët, për arsye të vdekjes së të dy prindërve
Familjet që kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët, kur njëri prej prindërve është dënuar për vepra penale ose kundërvajtje penale me vendim të formës së prerë të gjykatës ndërkohe që prindi tjetër nuk jeton
Familjet që kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët, kur një prindi i është hequr e drejta prindërore me vendim gjykate, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton
Familjet që kanë si kryefamiljar nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton
Familjet që kanë si kryefamiljar një pjestar të familjes që është mbi moshë pune dhe që nuk përfiton pension si dhe kur ka anëtarë të familjes së tij janë mbi moshë pune dhe nën moshë pune të cilët nuk përfitojnë pensione
10 Prill 2009