E Shtunë, 31 Tetor 2026

45 vite me Universitetin e Arteve

Akademia që nxori dhjetëra artistë të njohur shqiptar edhe me famë botërore, ka arsye për t’u ndjerë krenar edhe në këtë përvjetor.

Rektori i Universitetit, Petrit Malaj, u shpreh se viti 1966 do të kujtohet si viti kur mori jetë një nga institucionet më të spikatura të arsimit në Shqipëri dhe të artit dhe kulturës shqiptare, Instituti i Lartë i Arteve.

"Ngritja në Universitet përkon me këtë përvjetor. Sëbashku me kolegë, pedagogë, studentë e bashkëpunëtorë, arritëm që shkollën tonë ta ngremë në një nivel më të lartë institucional, duke synuar në rritjen e standardeve të ofertave tona akademike”, tha Malaj. Rektori i kësaj shkolle kujtoi emrat e artistëve që, sipas Malajt, me veprën e tyre lartësuan emrin e kësaj shkolle në vend dhe kudo në botë.

Personalitete si Zadeja, Harapi, Shiroka, Prosi, Laro, Spahivogli, Çashku, Shuteriqi, Mula, Pelinku, Mujo, Bulku, Xhuvani, Flloko, etj., janë emra që kanë dalë nga bankat e kësaj shkolle, disa prej të cilëve vazhdojnë të përçojnë traditën e artit tek brezat e rinj. Në takimin jubilar në sallën e koncerteve të Universitetit të Arteve u promovua pulla postare kushtuar 45-vjetorit të kësaj shkolle, nga të cilat 5000 të tilla kanë dalë në qarkullim që prej ditës së sotme. 

Rektori Petrit Malaj ndau edhe disa çmime mirënjohjeje për ata që kanë kontribuar në ngritjen e themeleve të kësaj shkolle dhe në trashëgiminë e traditës së saj, si Mario Ashiku, Vera Zheji, Skënder Selimi, Gëzim Kame, Timo Flloko, Nora Çashku, Zana Shuteriqi, Isak Shehu, etj. Në kuadër të aktiviteteve jubilare, në hollin e Universitetit të Arteve u çel një ekspozitë me krijime në pikturë, skulpturë, tekstil, të artistëve të rinj të kësaj shkolle. Ndërkohë që në sallën e koncerteve, Orkestra e Universitetit të Arteve performoi në një koncert përshëndetës.

Në mbrëmje do të shfaqet në skenën e Universitetit të Arteve shfaqja "Riverside Drive", me rigji të Milto Kutalit, duke prezantuar kështu, gjatë ditës së sotme, krijime nga të tre fakultetet e kësaj shkolle, Fakulteti i Muzikës, i Arteve të Bukura dhe i Artit Skenik. Universiteti i Arteve është institucioni i vetëm publik i arsimit të lartë me karakter artistik në Shqipëri. /Start/

                                                                                             2011-12-15 14:52
   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›