5 cm në projekt, 1 cm asfalti në rrugë!

Sot në orët e hershme pas agimit të diellit, aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! realizuan një performancë, përmes të cilës bëhet thirrje të mos harrohet asnjëherë skandali i asfaltimit të rrugës “Te Gjinollët”, afër sheshit “Kadri Zeka”, që asfalti i parashikuar për 5 cm trashësi, është mbuluar me asfalt prej 1 cm.
Luan Aliu, aktivist i Qendrës, ka deklaruar lidhur me motivin e këtij aksioni: “Ne edhe më herët patëm bërë një aksion se ky asfalt është shtruar vetëm 1 cm. Mirëpo, ky aksion tjetër mbi këtë skandal, po bëhet me qëllim të informimit të opinionit të gjerë publik rreth kualitetit të dobët të rrugëve edhe aty ku po shtrohen, se si po keqpërdoret paraja publike, se si nuk ka mbikëqyrje në projektet e asfaltimit, se si nuk ka ndëshkim ndaj operatorit privat rreth këtij projekti dhe se si Komuna ka mashtruar qytetarin e Gjilanit.”
Aktivisti Aliu është shprehur se Komuna e Gjilanit jo vetëm që ka mungesë të madhe të investimeve në projektet e asfaltimit të rrugëve të qytetit, periferisë dhe fshatrave, por edhe aty ku po asfaltohet rruga, po bëhet pa asnjë mbikëqyrje serioze, ndërsa mbikëqyrësit marrin shpërblime për rolin e tyre, pavarësisht që janë pasiv dhe nuk e bëjnë punën e tyre si duhet.
“Po të ekzistonte mbikëqyrja profesionale dhe serioze në këtë asfaltim të rrugës, dikush do të merrte përgjegjësi për këtë kualitet aq të dobët të asfaltit, por edhe do të rikthehej përsëri projekti aty ku ka filluar më parë” – ka përfunduar fjalën Aliu.
Aktivisti tjetër Edon Buca, teksa hedh sprejin për ta bërë mbishkrimin në këtë rrugë, shprehet i zemëruar për cilësinë e rrugëve të asfaltuara në komunën e Gjilanit. “Nëse shihni këtë rrugë, i ngjason petave të holla të bukës. Madje, fatkeqësisht as edhe këto të bukës nuk do të ishin më të holla sesa ky asfalt i shtruar në këtë rrugë” – ironizon aktivisti Buca.
“Ne do të vazhdojmë me aksionet tona për të shprehur pakënaqësinë rreth projekteve dosido të Komunës, por edhe aty ku nuk ka infrastrukturë të duhur, do ta ngremë zërin për të ndërhyrë Komuna. Edhe pse jemi të bindur se kjo qeverisje do të shkojë edhe për shkak të kësaj hileje në asfalt, ku në projekt është shënuar 5 cm, ndërsa është realizuar vetëm 1 cm” – përfundoi Buca.