E Diel, 1 Nëntor 2026

Rripi i gjelbër me drunj për Grabovcasit e Fushë Kosovës, në vjeshtë!

Rripi që ndanë lagjen Berishë të fshatit Grabovc të Fushë Kosovës me minierën e KEK-ut do të gjelbrohet me drunj.

Pas ankesave të qytetarëve dhe raportimit të mediave, zëvendësministri i MMPH-së Ferat Shala ka takuar drejtorin e KEK-ut Arben Gjuka për çështjen në fjalë nga i cili ka marrë zotimin se në vjeshtë do të nisë mbëltimi i drunjve që do të ndikojë në uljen e nivelit të zhurmës dhe eliminimin e efekteve të pluhurit, edhe pse sipas institutit INKOS, niveli i ndotjes dhe i zhurmës në këtë fshat është në suaza të parapara.

Zv.ministri Shala dhe menaxheri i KEK-ut Arben Gjuka kanë vizituar dhe lagjen Berisha ku kanë parë për së afërmi punimet në minierën e cila po shtrihet drejtë anës së kundërt të fshatit Grabovc.

“MMPH ka për detyrë të dëgjojë ankesat e qytetarëve dhe të ndërrmarrë hapa konkret në zgjidhjen e shqetësimeve të tyre dhe për këtë jemi të sigurtë që në bashkëpunim me KEK-un, mbëltimin e drunjve ta bëjmë sa më parë” – ka thënë Shala.

Bashkëpunimi ndërmjet MMPH-së dhe Korporatës Energjetike të Kosovës ka shënuar progres të dukshëm krahas viteve të mëparshme duke theksuar këtu procesin rëndësishëm të instalimit të filtrave që pritet që i gjithi të përfundojë brenda këtij viti./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›