Për festa nuk mungon solidariteti

Solidariteti ndër njerëz përfshinë veprime humane dhe ndihmën ndaj njeri tjetrit. Ndihma për skamnor, invalidë dhe ndaj atyre që janë në gjendje të rëndë nuk mungon as në shoqërinë kosovare, sidomos në prag të festave.
Shumë organizata bamirësie në vend, në prag të festave, organizohen dhe ndajnë vullnetarisht ndihma për qytetarët me nevojë. Një solidaritet të tillë e tregon edhe Bashkësia islame e Kosovës, ani pse ka një buxhet të limituar. Kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame, Xhabir Hamiti tha për Radio Kosovën se nevojat janë shumë të mëdha dhe zakonisht ndihmohet me ndonjë pako ushqimore përmes shoqatës “Bereqeti” që funksionon në kuadër të BIK-ut, raporton RTK.
“Edhe gjatë këtij muaji kjo shoqatë ua ka shtrirë dorën shumë familjeve të viseve të ndryshme qoftë në ushqim qoftë në veshmbathje, por numri i atyre që kërkojnë ndihmë dhe asistencë që i drejtohen BIK është shumë i madh, dhe kapacitetet për t’ju dal në ndihmë janë të vogla”, tha ai.
Profesor Hamiti thotë se gjithnjë duhet të kemi respekt për atë që kanë nevojë.
“Kontributet dhe ndihmat ndaj atyre që nuk kanë nuk duhet të mungojnë edhe jashtë ramazanit por edhe jashtë festive, por në veçanti ditët e mëdha, dhe ato festive nuk duhet të lëmë familje me nevojë pa e ndihmuar dhe mbështetur. Qytetarët që kanë mundësi ku e identifikojnë një familje ose e rastisin një familje e cila vërtet ka nevojë të nxitojnë dhe t’i ndihmojnë që edhe ajo familje sa do pak, ta ndjejë ditën e Fitër Bajramit”, tha ai.
Edhe pse donacionet e qytetarëve nuk mungojnë, përfaqësues të bashkësisë islame thonë se nuk ka ndonjë koordinim të drejtpërdrejtë me institucionet shtetërore rreth ndihmave që institucionet e vendit iu ofrojnë familjeve me nevojë./Indeksonline/