E Diel, 1 Nëntor 2026

5 marrëveshje për ujësjellës në disa rrethe

Marrëveshjet u nënshkruan midis Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit dhe me Ndërmarrjet e Ujësjellës Kanalizimeve në Fier, Kamzë, Korçë, Lushnjë, Berat, Kuçovë dhe Sarandë, me synim për të përmirësuar nivelin dhe cilësinë e furnizimit me ujë. Marrëveshja e nënshkruar sot do të mbështetet nga Banka për Zhvillim e Gjermanisë KfW dhe qeveria zvicerane.

Ajo do të nisë të implementohet nga dita e sotme dhe përfundon brenda 2015-ës.  Këto marrëveshje u nënshkruan nga Ministri i Financave, Ridvan Bode, Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi dhe Zv/Presidenti i Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW),  Roland Siller.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, pjesëmarrës në aktivitetin e organizuar,  kërkoi nga Shqipëria një menaxhim sa më të mirë të ujërave, ndërsa shtoi se menaxhimi i ujit duhet të vendoset në politikat e qeverisë. Duke folur gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ambasadori Sequi theksoi se ndihma e Bashkimit Evropian për Shqipërinë do të varet nga puna që do të bëjë vendi në këtë drejtim. 

"Këto projekte janë të rëndësishme, pasi ekspertiza që jep BE-ja është një mundësi për të trajtuar problemet që ka pasur Shqipëria përsa i përket ujit. Ne kemi besim që Shqipëria do të vazhdojë ta ngrejë më lart menaxhimin e ujit në politikat e saj. BE është këtu për t`ju ndihmuar pasi është një partner i sinqertë, por shkalla e ndihmës do të varet edhe nga shkalla e punës që do të bëni ju. Ne jemi këtu për ju", tha Sequi.

Sipas tij, Bashkimi Evropian do të japë 25.5 milionë euro nga taksapaguesit europianë për të ndihmuar autoritetet shqiptare të garantojnë shërbimet thelbësore për qytetarët.  Nga ana e saj, ambasadorja gjermane Carola Muller Holtkemper theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian ka të bëjë edhe me çështjet që kanë lidhje me qytetarët. Ajo tha se këto projekte do të përmirësojnë standardet e jetesës së shqiptarëve, ndërsa shtoi se projektet gjithashtu do ta ofrojnë më tepër Shqipërinë në Bashkimin Evropian. /Start/

                                                                                             2012-03-20 16:37
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›