E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Presidenti, digjet raundi i dytë, mazhoranca dhe opozita ende pa asnjë emër të firmosur

Grupi Parlamentar i PD, opozita dhe PS, nuk kanë dorëzuar ende asnjë emër për kreun e ri të shtetit. Për rrjedhojë është djegur edhe raundi i dytë. Afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave ishte dita e sotme, por asnjë nga palët nuk ka dorëzuar asnjë emër. Ato kanë vijuar akuzat duke bërë fajtor njëri tjetrin për këtë situatë.

Kreu i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj, akuzoi PS se ka prishur marrëveshjen që presidenti t’i dërgohej Kuvendit me firma të përbashkëta. Mazhoranca ka deklaruar se Alibeaj është keqkuptuar, pasi ato kanë rënë dakord që opozita të propozojë emër për kandidatët për president në raundin e dytë dhe të tretë, e më pas do të jetë radha e socialistëve që të propozojnë në raundin e katërt dhe pestë.

Pikat e marrëveshjes për të cilat PD pretendon se janë shkelur   Pika 4:  Një Komision i përbërë nga 6 anëtarë: 3 shumica parlamentare dhe 3 pakica parlamentare, shqyrtojnë 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej kandidatëve. Kandidatura e përzgjedhur i nënshtrohet votimit në seancë plenare. Ndërkohë bashkëngjitur është edhe video e takimit ku zoti Balla e pranon me zë e figurë dokumentin e propozuar nga Grupi i PD. Ndërsa zoti Alibeaj, duke rënë dakord me zotin Balla, e thotë qartë se nëse një pikë e këtij dokumenti shkelet dhe nuk pranohet, atëherë konsiderohet tërheqje prej këtij dakordësimit nga ana e PS. Pra tashmë PS ka veç një zgjedhje: të mbështesë me firma kandidaturën e propozuar nga opozita dhe dakordësuar në negociata mes palëve. Rruga tjetër është po ashtu vetëm një: Të bëjë atë që di të bëjë më mirë, të shkelë rregullat e dakordësuar prej saj. Këtë e përcakton qartë pika 6 e dokumentit të Grupit të PD: Pika 6:   Shkelja e njëanshme e rregullave të procedurës i njoftohet zyrtarisht shumicës parlamentare dhe publikohet menjëherë. Në rast të mosriparimit të shkeljes ose në rast të shkeljes së përsëritur të tyre, opozita parlamentare tërhiqet nga pjesëmarrja e mëtejshme në proces duke treguar publikisht edhe shkakun.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›