Balla thirrje opozitës të dorëzojë emrat për Presidentin, Agalliu: PS u tërhoq sapo pa që kandidatët e PD s’mund të jenë ‘në xhepat’ e Ramës

PS dhe grupi i PD po akuzojnë njëra -tjetrën lidhur me prishjen e konsensusit që u arrit mes palëve për zgjedhjen e presidentit të ri. Taulant Balla nga Fieri i bëri thirrje opozitës të dorëzojë emrin e presidenti për votimin në raundit e dytë që është të hënën, pasi 22 maji është afati i fundit i dorëzimit të kandidaturave, por deputeti i Partisë Demokratike Arbi Agalliu thotë se PS u tërhoq nga marrëveshja.
Përmes një statusi në Facebook ku ka publikuar edhe videon nga mbledhja ku u arrit marrëveshja mes PS dhe PD, Agalliu shkruan se PS u tërhoq sapo pa listën e kandidatëve të PD, që sipas tij janë njerëz seriozë dhe me integritet dhe nuk mund të jenë në ‘xhepin e Ramës”.
“’Pacta sunt servanda’. Është ky minimumi i seriozitetit që procesi i zgjedhjes së Presidentit meriton të ketë. Taulant Balla u tërhoq nga dokumenti i PD, me të cilin ai vetë ra dakord para syve të kamerave dhe shqiptarëve. Mesa duket, pasi mësuan kandidatët e propozuar nga deputetët e PD, njerëz seriozë e me integritet, që nderojnë Shqipërinë, u tërhoq pa shpjegim dhe bën sikur nuk kupton. PD është për një President për të gjithë shqiptarët dhe që nderon Shqipërinë. PS kërkon President vetëm për socialistët për ta patur në xhep Rama. Këtë të dytën mund ta bëjë, me mandatet e vjedhura dhe deputetët non grata, por jo me PD”, shkruan Agalliu.
Ditën e hënë Kuvendi i Shqipërisë në orën 18:00 do të zhvillojë seancën plenare për zhvillimin e votimit të dytë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Në mbledhjen e zhvilluar mes grupe parlamentare disa ditë më parë u dakordësua që opozita do të propozonte emrin e kandidatit për president në dy raundet e ardhshme e më pas socialistët, por më pas palët nisën akuzat ndaj njëra-tjetrës për prishje të konsensusit! Alibeaj tha se kandidatin e opozitës duhet ta firmosin socialistët, por Balla tha se kjo nuk ishte dakordësia e arritur në mbledhje.
/rtsh.al/