5-vjetori i SPAK, Mbretëria e Bashkuar: Bashkëpunojmë për të promovuar transparencën dhe qeverisjen e mirë

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Mbretëria e Bashkuar përcolli sot një mesazh urimi në kuadër të 5-vjetorit të themelimit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
“Mbretëria e Bashkuar me krenari mbështet forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri dhe më gjerë. Si partnerë të besuar, ne jemi të përkushtuar të ndajmë ekspertizë, të ndërtojmë kapacitetet institucionale dhe të nxisim bashkëpunimin ndërkombëtar”, thuhet në një postim të Ambasadës në rrjetin social, “Facebook”.
Përkushtimi i SPAK-ut ndaj ekselencës profesionale dhe zhvillimit institucional, theksohet në mesazh, është një shembull i rëndësishëm.
“Me padurim presim të vazhdojmë këtë partneritet të ngushtë për të promovuar transparencën dhe qeverisjen e mirë. Si partnerë për progres, ne punojmë së bashku drejt një të ardhmeje më të begatë”, citohet mesazhi.
/r.e/