E Diel, 1 Nëntor 2026

50 milionë janë pak, Vllaznia kërkon sponsorë për finalen

Paratë do të përdoren për rritjen e premios, por edhe për organizimin e tifozëve

Vllaznia ka filluar ta ndiejë shumë nevojën për të shmangur dështimin total të këtij sezoni. E vetmja mundësi për ta rregulluar disi imazhin e shkodranëve, që këtë edicion e nisi si mos më keq dhe tani ende nuk e ka garantuar qëndrimin matematik në Superiore, është fitimi i Kupës së Shqipërisë. Kjo jo vetëm për të mbyllur 2009-2010 me një trofe, por edhe sepse ky trofe do t’ju jepte të drejtën automatike për të luajtur në Europa League. Dhe drejtuesit shkodranë po mundohen të gjejnë mënyra të ndryshme për të motivuar maksimalisht skuadrën e tyre për këtë sfidë të rëndësishme, pasi të dielën e 9 majit në stadiumin “Qemal Stafa” do të përballet me Besën e Kavajës. Një mënyrë e tillë janë premiot për skuadrën, që nuk u mungojnë kuqebluve. Presidenti Valter Fusha i ka premtuar skuadrës 50 milionë lekë në rast të fitimit të kupës ndaj ekipit të presidentit Nexhat Bizhdili, i cili është i gatshëm të kundërpërgjigjet. Por këto 50 milionë të ofruara nga numri një i shkodranëve, duket se nuk mjaftojnë. Këtë e vërteton fakti se dje klubi Vllaznia i ka bërë thirrje Bashkisë Shkodër, të gjithë biznesmenëve dhe donatorëve të ndryshëm për të kontribuar financiarisht, me aq mundësi sa kanë, për ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë, për rritjen e premios së ekipit dhe udhëtimin e tifozëve drejt Tiranës. “Ndihma e tyre financiare mund të derdhet në arkën e klubit ku çdo ditë është caktuar një person nga ora 08.00 deri në orën 15.00 çdo ditë për të pritur ata që do kontribuojnë dhe emrat e tyre do bëhen publikë në media”, shkruhet në deklaratën e klubit, i cili sqaron më tej se “thirrja jonë për të ndihmuar vjen sepse së bashku mund ta bëjmë edhe më të bukur festën e fitimit të Kupës së Shqipërisë”. Sikurse është mësuar nga burime brenda klubit, një pjesë e parave që do të mblidhen, do të përdoren edhe për të krijuar një dekor mbresëlënës kuqeblu në stadiumin “Qemal Stafa”. “Tifozët nuk kanë munguar asnjëherë për të ndjekur ekipin e tyre të zemrës dhe besoj se nuk do mungojnë as në këtë finale, nënvizon presidenti Fushaj. Klubi po punon për zgjidhjen e problemit të udhëtimit drejt Tiranës. Kemi dy alternativa, njëra është të kemi një tren të posaçëm, që ofron 1700-2000 vende dhe alternativa tjetër është ajo për të vënë një dispozicion disa autobusë. Po ashtu kemi porositur dhe shpresoj të jenë gati edhe 1000 bluza dhe shalle të Vllaznisë. Atmosfera besoj se do jetë e gjitha kuqeblu të dielën në ‘Qemal Stafa’”. Besa e ka thuajse të sigurt vendin e dytë dhe pjesëmarrjen në Europa League edhe falë renditjes në klasifikim, ndërsa Vllaznia duhet të mbledhë dhe disa pikë për të garantuar qëndrimin në Superiore. Edhe pse situatat që po kalojnë momentalisht të dy skuadrat nuk janë të njëjta, dhe organikat e tyre, gjykuar nga paraqitjet e fundit, duket se kanë një diferencë, fakti që luajnë në një finale i përafron shumë. I këtij mendimi është edhe presidenti i Vllaznisë, Fushaj. “Nëse nisemi nga forma që kanë treguar dy skuadrat në ndeshjet e fundit u referohet ndeshjeve të “toleruara” nga kavajasit), mendoj se ne jemi me të favorizuar, por finalja është finale dhe prandaj mendoj se shanset janë të barabarta, 50 me 50 për këtë ndeshje shumë vendimtare”, përfundon Fushaj.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›