Bregu replikon me eurodeputetin e majtë Bostinaru
Dita e dytë e takimit BE-Shqipëri në Parlamentin Europian mishëroi mungesën e dialogut mes pozitës dhe opozitës shqiptare në sy të komisionit, vendeve anëtare dhe eurodeputetëve. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, nisi fjalën e saj me replikën, që iu mohua një ditë më parë nga bashkëkryetari i seancës, Eduart Kukan, ndaj deklaratës së eurodeputetit socialist Boshtinaru, sipas të cilit fjalimi i Berishës në Bruksel krijonte përshtypjen e një vendi ideal. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha se “Shqipëria është një vend ideal, sepse është vendi im dhe ne ia dolëm që pas 20 vitesh të identifikojmë perspektivën perëndimore, në vend të perspektivës bolshevike. I menjëhershëm ishte reagimi i eurodeputetit të PSDE-së, Victor Bostinaru, sipas të cilit “poezia nuk e ndihmon asnjëherë përshpejtimin e gatishmërisë së vendit për t’u anëtarësuar në BE”. Bregu reagoi sërish, duke thënë se “mu dha shansi nga ju kur thatë dje ‘ideal’, kjo fjalë qëndron këndshëm për poezinë”. “Zoti Rama ka thënë se nuk do të mbahen zgjedhjet në këtë vend nëse kutitë e votimit nuk hapen e për sa kohë që Berisha do të jetë Kryeministër. Pas tij, dëgjuam moton e Luftës së Dytë Botërore, një apel i bërë nga djaloshi i ri që është aty e që tha: “Liri a vdekje” do të jetë motoja jonë. Ja ku e keni, pyeteni çfarë dëshiron tani, vdekje a liri për shqiptarët”. Arben Malaj iu përgjigj në shqip me pyetjen “ministrja erdhi për dialog apo si militante e PD-së?”. Bregu këmbënguli se ka një komision hetimor tashmë në Parlament që nuk funksionon, por sërish oferta e mazhorancës ndaj zotërinjve të opozitës është që të vijnë dhe të pranojnë ofertën e shumicës për të hetuar procesin, madje dhe përmes ndihmës së 100 prokurorëve”. Deputeti socialist, Ditmir Bushati, tha se akuzat ndaj opozitës janë të papranueshme dhe shtroi pyetjen specifike që i referohet raportit të progresit të Komisionit Europian për vitin 2009. “Në të përmenden emra të përveçëm ministrash, të cilët janë ende në kabinetin ‘Berisha’, çështja e Gërdecit dhe ajo për rrugën Rrëshen-Kalimash. çfarë keni bërë ju zonja ministre, si përfaqësuese e qeverisë, për t’i adresuar këto dy raste të nivelit të lartë të korrupsionit?” - nënvizoi Bushati. Komisioneri Stefan Fule konstatoi se është e qartë se duhet t’i jepet fund kulturës së padënueshmërisë. “Për këtë arsye po ndjekim nga shumë afër zbatimin e ligjeve të reja dhe funksionimin e institucioneve. Për këtë arsye po nxisim për dhënie të rezultateve konkrete të besueshme për këtë çështje. Lufta ndaj korrupsionit nuk duhet të ndalet përballë asnjë dere, e përballë asnjë zyre, aq më tepër për zyrtarët e lartë, ku përgjegjësia është akoma më e rëndësishme. Ndaj komisioni po e ndjek këtë çështje nga afër”, insistoi Fule.
#