E Shtunë, 31 Tetor 2026

50 vite burg për kasapin e Liberisë

Më 26 prill ai u shpall fajtor për krime lufte. Tani është dhënë edhe masa e ndëshkimit: 50 vite burg për ish- presidentin e Liberisë, Charles Taylor. Ai akuzohet se ka ndihmuar kryengritësit në Sierra Leone, gjatë luftës civile të vitit 1991-1992.

Gjykata Speciale për Sierra Leonen tha se dënimi pasqyron statusin e tij si kryetar shteti në atë kohë dhe tradhtinë që i bëri ai besimit të publikut.

Sipas BBC, Taylor, 64 vjeç, insiston se është i pafajshëm dhe se do të apelojë vendimin. Procesi i apelit mund të zgjasë rreth gjashtë muaj.

Gjatë leximit të vendimit, gjykatësi Richard Lussick tha se krimet në Sierra Leone ishin nga më të tmerrshmit në historinë njerëzore.

Prokuroria kishte kërkuar 80 vite burg.

Në këmbim të ‘diamanteve të gjakut’, Taylor kishte ofruar armë dhe mbështetje logjistike e morale për rebelët në Sierra Leone, duke zgjatur konfliktin dhe vuajtjet e banorëve të Sierra Leones.

Taylor është i pari ish- kryetar shteti që është dënuar për krime lufte nga një gjykatë ndërkombëtare, që prej gjyqit të Nurembergut pas Luftës së Dytë Botërore.

Vetë Taylor i kërkoi gjykatës që të marrë parasysh moshën e tij kur të marrë vendimin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›