E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shqipëria po ndryshon", kënga e PD-së bllokon radiot e policisë

Ndërsa efektivët e policisë
presin që në radiot
e tyre të dëgjojnë zërin
e shefave ose të sallës
operative për të dhënë detyrat
e radhës, ata mund të dëgjojnë
vetëm këngën slogan të Partisë
Demokratike "Shqipëria po ndryshon".
Ky skandal ka disa ditë
që ndodh në frekuencat e policisë
shqiptare, ndërkohë që Drejtoria
e Standardeve Profesionale nuk
ka asnjë informacion. Segmente
të caktuara bllokojnë kanalet
e policisë, duke lënë në sfond
vetëm himnin e Partisë Demokratike,
pavarësisht se uniformat blu
mund të njoftohen për ndonjë
ngjarje urgjente, ku kërkohet
ndërhyrja e tyre.
Gjatë ditës së djeshme, në një
vëzhgim të rastësishëm u zbulua
ky skandal, që rrjedhimisht
politizon policinë shqiptare,
ose faktorë të caktuar të saj. Që
mëngjesin e djeshëm, pa vënë
në dukje ditët e tjera, radiot
e policisë ishin fiksuar si një
kanal radiofonik ku mund të
dëgjoje këngën "Shqipëria po
ndryshon", që aktualisht përdoret
nga subjekti politik Partia Demokratike,
si slogan për fushatë.
Por kjo ka ndodhur gjatë gjithë
ditës duke bllokuar edhe punën e
policisë. Pikërisht në frekuencat e
Komisariatit Nr. 2 kjo këngë është
dëgjuar më shumë. Madje, në një
moment kur shefi i këtij komisariati,
Nikollë Vatnikaj, ka dashur
të kërkojë raportimin e gjithë
shërbimeve në terren, që mbulon
ky komisariat, i janë dashur disa
momente që radio të qetësohet.
Burimet policore tregojnë se
persona ende të paidentifikuar,
që aktualisht punojnë në radhët
e uniformave blu, marrin radiot
marrëse-dhënëse dhe duke përforcuar
eksesin e tyre, i përdorin
ato për qëllime politike. Kështu,
ata ndezin kasetofonët, shtypin
butonin për të hyrë në linjën e
radiove dhe mikrofonin e afrojnë
te bokset e kasetofonit, ndërsa
kënga dëgjohet te të gjithë efektivët
që janë instaluar tek ajo linjë.
Edhe sikur të tentosh të hysh në
linjë për të kërkuar llogari se çfarë
po ndodh, nuk mund ta bësh një
gjë të tillë, pasi fillimisht duhet
liruar linja nga personi i cili ka
zgjedhur për të përshëndetur
policinë me këngën elektorale të
PD-së, "Shqipëria po ndryshon".
Kjo mund të duket si një përrallë,
por informacioni ka mbërritur
deri në Drejtorinë e Shërbimit
të Kontrollit të Brendshëm.
Madje, edhe gazeta "Shqip" ka
regjistruar një pasazh në radiot
e policisë gjatë vëzhgimit të kryer
në ditën e djeshme. Por askush
nuk mund të thotë se cilët janë
këta persona që kryejnë vepra
kaq të ulëta për policinë, duke
tentuar ta politizojnë atë në
prag të zgjedhjeve që zhvillohen
këtë të diel. Burimet nga SHKBja
bënë të ditur se po hetojnë
në lidhje me këtë fenomen, që
mban përmasat e një skandali,
pasi në kohët e sotme flitet për
një polici të depolitizuar dhe që
ka arritur standardet europiane,
por ky veprim nuk përbën një
vepër penale.
Kështu, SHKB-ja sqaron se
edhe nëse i zbulon këto raste,
nuk mund t‘i dërgojë për ndjekje
penale, pasi i takon Drejtorisë së
Standardeve Profesionale të marrë
masa ndaj personave që abuzojnë
me mjetet e vëna në përdorim
nga Policia e Shtetit. Por kjo
drejtori nuk ka as më të voglin
informacion mbi këtë fenomen,
pavarësisht se ai nuk është përhapur
vetëm në Tiranë, por në të
gjithë Republikën e Shqipërisë.
Burimet policore shpjegojnë se
në orare të ndryshme të ditës,
në shumë frekuenca të policisë
vendoset kënga "Shqipëria po
ndryshon", duke penguar punën
e përditshme. Madje, mund
të dëgjosh edhe komentet që
bëhen nga personat që bllokojnë
frekuencën e policisë, duke të
sjellë dyshime nëse kjo është
vërtet policia e depolitizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›