E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlerësimi i zëvendëskryeministrit të Kosovës Ramë Manaj

“Rruga Durrës-Morinë, një arritje e madhe për gjithë kombin shqiptar”
Drejtuesit e Kosovës kanë përshëndetur dje nxehtësisht hapjen e njërit segment të rrugës Rrëshen-Kalimash, duke theksuar se ky investim do t’ju shërbejë thellësisht banorëve të Kosovës, jo vetëm për të ardhur shpejt në brigjet detare të Shqipërisë, por së pari për arsye ekonomike.
Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së Ramë Manaj, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës ka theksuar edhe motivet që kishin pamundësuar praninë në ceremoni të presidentit Fatmir Sejdiu. Në një prononcim për të përditshmen “Express”, ai ka theksuar se angazhimet e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës kanë qenë maksimale. “Presidenti Fatmir Sejdiu ka qenë i ftuar, por nuk ka pasur kohë të marrë pjesë në ceremoninë përuruese të autostradës Durrës-Morinë, tha ai. Gjithçka që është e dukshme, e prekshme, transparente nuk ka nevojë të rikonfirmohet. Angazhimet e djeshme të gjithë përfaqësuesve të institucioneve të vendit kanë qenë maksimale edhe në bashkëpunim, komunikim këto janë çështje të rëndësishme relevante për procesin që ka kaluar Kosova, thjesht nuk ka pasur hapësirë kohore që të jetë qoftë Presidenti ose kryeministri në inaugurimin e kësaj rruge”, tha Ramë Manaj, Sekretar i Përgjithshëm i LDK-së, në konferencën e rregullt me gazetarë.
Më tutje, Manaj e vlerësoi një arritje të madhe të karakterit historik për gjithë hapësirën shqiptare, inaugurimin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Sipas tij, kjo rrugë hap definitivisht barrierat e integrimit të komunikimeve brendashqiptare. “Një rrugë që ka rëndësi, jo vetëm ekonomike dhe një rrugë që u kontribuon integrimeve të mëtutjeshme të shqiptarëve këndej dhe andej kufirit, por edhe gjithë rajonit të integrimeve evropiane”, u shpreh funksionari i lartë i LDK-së, Manaj, njëherësh edhe zëvendëskryeministër i Kosovës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›