52% e tiranasve pinë ilaçe që ti zërë gjumi
Më shumë se gjysma e banorëve të Tiranës vuajnë nga shëndeti për shkak të zhurmës në kryeqytet. Sipas një studimi të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, rezulton se 52 për qind e banorëve që jetojnë në Tiranë kanë probleme me gjumin e natës. Te këta persona konstatohet ankth dhe përdorim i shpeshtë i ilaçeve, që pretendohet se janë qetësues kundër stresit.
Specialistët e përfshirë në studim referojnë se, edhe pse në Shqipëri prej dy vjetësh ka hyrë në fuqi ligji që ndalon ndotjen akustike, zbatimi i tij lë ende për të dëshiruar.
Gjatë ditës, në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, mbizotërojnë zhurmat e trafikut të automjeteve, ndërsa natën janë të pranishme zhurmat e lokaleve dhe bareve, të cilat i tejkalojnë pa kurrfarë problemi normat e lejuara. Sipas specialistëve, pas orës 23:00 të mbrëmjes zhurmat e krijuara nga lokalet e natës nuk duhet të jenë më shumë se 35 decibel, ndërsa lokalet e hapura nuk duhet të ekzistojnë në qendra të banuara. Pas shumë ankesave të qytetarëve të kryeqytetit, por sidomos të atyre që banojnë në zonën e Bllokut, policia bashkiake dhe ajo e rendit kanë nisur aksionin për mbylljen e muzikës në të gjitha lokalet e natës pas orës 23:00. Sakaq, gjobat dhe panalizimet për baret, lokalet e natës por edhe pubet, kanë qenë të konsiderueshme jo vetëm nga policia bashkiake, por njëkohësisht edhe nga Inspektorati Mjedisor, institucion që edhe ka bërë publike vlerat monetare me të cilat këto subjekte duhet të dëmshpërblejnë në adresë së “arkës” së shtetit.
#