E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eros Ramazzotti, koncert në Prishtinë

30 korrik Biletat do të shpërndahen edhe në pika shitje në Shqipëri

Mediat kosovare kanë shkruar sot për një event muzikor që do të realizohet në Prishtinë. Njëri prej legjendave të muzikës italiane, Eros Ramazzoti, pritet të mbajë një koncert më 30 korrik në kryeqytetin kosovar. Ai do të performojë në stadiumin e Prishtinës, ndërkohë që aktiviteti është lajmëruar edhe në faqen e tij zyrtare. Ramazzotti do të ndalet në Prishtinë vetëm tri ditë pas koncertit në Palermo, për të shkuar më pas drejt Kaliarit. Eros Ramazzotti do të mbajë një koncert që do të zgjasë dy orë e gjysmë. Këngëtari 46-vjeçar do të ngjitet në skenë për të kënduar live hitet e tij si “Parla con me”, “I belong to you”, “Terra promesa”, “Piú bella cosa” “Fuoco nel fuoco”, “Se bastasse una canzone”, “Solo un volo”.

Produksioni “Live Nation” i cili njihet për organizimin e koncerteve të këngëtarëve të famshëm, do të sjellë 48 kamionë me të gjitha pajisjet. Koncerti në Kosovë i Eros Ramazzotti-t është pjesë e turneut që këngëtari ka nisur vitin e kaluar. “Pikën” e fundit, turneut veror, Ramazzotti do t’ia vërë në mes të muajit gusht. Rreth 35 mijë bileta do të dalin në shitje, duke nisur nga data 9 e këtij muaji, të cilat do të shpërndahen në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni. Ndërkohë organizatorët bëjnë të ditur se çmimi i biletës nuk do ta kalojë shifrën e 15 eurove. Këngëtari italian do të ngjitet në skenën e stadiumit të Prishtinës duke iu “bindur” një dëshire të vetme të organizatorit: gjatë performancës të mbajë në kokë një plis, si simbol identifikues të shqiptarëve. Performancës së Eros Ramazzotti-t do t’i prijnë këngëtarë kosovarë, emrat e të cilëve ende nuk bëhen të ditur. Ramazzotti, me 14 albume në karrierën e tij, është i njohur për bashkëpunimet me këngëtarë si Tina Turner, Anastacia, Luciano Pavarotti, Laura Pausini, Ricky Martin etj.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›