Debat serbo-kosovar në OKB
Këshilli i Sigurimit ka mbajtur dje seancën e jashtëzakonshme për gjendjen e sigurisë në Mitrovicë, që nisi pas takimit të mbyllur të këshillimeve mes vendeve anëtare. Takimi u mbajt me kërkesë të Serbisë, pas incidentit të së premtes në veri të Mitrovicës, ku u vra një person dhe u plagosën mbi 10 të tjerë. Në takim mori pjesë dhe diskutoi edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, si dhe shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo. Gjithashtu, ishte i pranishëm edhe Presidenti serb, Boris Tadiç, i cili në fjalën e tij ka kërkuar nga KS-ja të dënojë sulmin e së premtes në Mitrovicë. “Ajo që ndodhi në Mitrovicë është konsekuencë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. E vërteta është se shpallja e njëanshme e pavarësisë nuk i ndihmon paqes e stabilitetit. E vetmja mënyrë për të vendosur stabilitetin në Kosovë është zbatimi i planit 6-pikësh të sekretarit të përgjithshëm”, tha Tadiçi. Pas tij foli shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, i cili solli për KS-në kronologjinë e ngjarjeve dhe foli dhe për plagosjen e deputetit në Kuvendin e Kosovës, Petar Miletiq. Shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo, përveç rrjedhjes së ngjarjeve, foli për kërcënimet që ekipi i EULEX-it ka marrë nga ekstremistët serbë. Kermabo tha se hetimet po bëhen nga Policia e Kosovës me ndihmën e EULEX-it. Ky i fundit ka pranuar ofertën e bashkëpunimit në hetime nga Beogradi. Shefi i EULEX-it theksoi se akuzat që janë bërë së fundi në media janë spekulime. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, në fjalën e tij prezantoi masat e marra nga qeveria e Kosovës për integrimin e veriut të vendit. Hyseni po kundërshton akuzat e Tadiçit. Lidhur me incidentin e së premtes dhe vdekjen tragjike të pediatrit boshnjak, kryediplomati Hyseni tha: “Hetimi po ecën mirë. Ajo që mund të them është se ato granata dore mund të jenë hedhur nga brenda turmës, nga vetë protestuesit”. Ndërkohë, Hyseni para Këshillit të Sigurimit solli përpjekjet e qeverisë së Kosovës për t’i integruar të gjitha bashkësitë etnike duke respektuar shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut. Hyseni nënvizoi faktin se politika e Beogradit po punon kundër stabilitetit të Kosovës e rajonit dhe, para së gjithash, kundër vetë serbëve të Kosovës. “është një thirrje që unë besoj se do të jetë dhe duhet të jetë shumë e dobishme. Ajo është për Beogradin, që të ndalojë me manipulimin e dëmshëm të serbëve të Kosovës”, theksoi Hyseni. Nga ana tjetër, deklaratat e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, përkatësisht shefi t të UNMIK-ut, Lamberto Zannier, dhe kreut të EULEX-it, Iv de Kermabo, ishin para së gjithash përmbledhje e rrjedhës së ngjarjeve të 2 korrikut, por dhe të 5 korrikut, kur u plagos deputeti i Kosovës, Petar Miletiq. Përfaqësuesit e vendeve anëtare të KS-së në deklaratat e tyre dënuan dhunën, por patën qasje të ndryshme lidhur me zhvillimet në Kosovë. Franca, Britania e Shtetet e Bashkuara nënvizuan përpjekjet e Qeverisë së Kosovës dhe kundërshtuan politikat e Beogradit. Rusia dhe Kina, vende anëtare të përhershme në Këshillin e Sigurimit mbrojtën qëndrimin e Beogradit, duke nënvizuar nevojën për bisedime shtesë për zgjidhjen e statusit. Këto kërkesa u hodhën poshtë nga Kosova dhe vendet perëndimore. ... çdo dhunë apo akt provokues nga demonstruesit është i papranueshëm! Përfaqësuesi amerikan deklaroi se “është për të ardhur keq se përpjekjet e qeverisë së Kosovës t’i ndihmojë ata që janë në nevojë në veri, u dëmtuan nga përpjekjet për ta politizuar situatën dhe e destabilizuan situatën në veri. Duhet të them se çdo dhunë apo akt provokues nga demonstruesit është i papranueshëm”.
#