55-a: Rama po investohet fuqishëm pro Olldashit, por Basha do jetë kreu i ri i PD-së
Gazeta 55 e Fahri Balliut, e cila ka nisur një betejë të hapur kundër Sokol Olldashit, që kandidon për kreun e PD-së, ka akuzuar kryesocialistin Edi Rama se po investohet fuqishëm për të mbështetur Olldashin. Sipas 55-s, Rama po tenton krijimin e një opozite të emëruar, nga frika se mos në krye të PD-së vjen Lulzim Basha.
Fakti që Lulzim Basha është në rolin e protagonistit politik tek e djathta dhe pesha e tij vendimtare jo vetëm tek demokratët, por edhe më gjerë, bën që Edi Rama dhe oborri i tij mediatik ta ketë atë në qendër të sulmeve të përditshme. Në interesin afatgjatë të Edi Ramës do të duhej që Basha të mos e fitonte garën për kryetar të PD.
Arsyet dihen. Protagonizmi dhe karizma e Bashës e nxori Ramën në pension, e çrrënjosi nga karrigia e korrupsionit 11 vjeçar, duke e zhbërë më thellë në opozitën e tij të përhumbur. Dy vjet më pas, Rama vjen me petkun e fituesit të zgjedhjeve parlamentare (edhe pse sipas kalkulimeve matematikore ai dhe partia e tij kanë marrë po aq mandate se në 2009-ën) dhe normalisht që në psikologjinë e tij politike, karrigia e pushtetit nuk është e lehtë për tu lëshuar. Ai dhe oborri i tij i lobuesve të mëdhenj financiarë i mëshojnë fort këtij fakti. Dhe për tia arritur këtij qëllimi, rruga u duhet e lirë – aq e lirë sa pengesat që mund të sjellë opozita e djathtë të jenë tërësisht të paefektshme. Ndaj dhe Rama me kompani po investohen fuqishëm në një hakmarrje të egër ndaj Lulzim Bashës thjesht e vetëm për të intimiduar anëtarësinë e PD. Kuptohet se atij i intereson një rival i dobët, një rival i parrezikshëm në aksionet e tij kundër opozitës gjatë katër viteve të ardhshme, shkruan 55-a e Balliut.
Por, sipas kësaj gazete, tashmë kryetari i ri i PD-së dihet dhe ai është Lulzim Basha.
Ndaj, kandidimi i Bashës për kryetar të PD i cili do të udhëheqë opozitën e katër viteve të ardhshme, Edi Ramës i shuan shpresat e telendisjes së opozitës, pasi pritshmëritë janë që kreu i mazhorancës së re të pësojë disfatën e parë brenda 2 viteve. Atij si intereson Lulzim Basha kryetar i PD. Nuk i duhet Basha në krye të aksionit opozitar, pasi i cenon interesat politike largpamëse. I duhet një rival i dobët, një opozitar i dobët në mënyrë që, llogaritë ti bëjë shumëzim për dy, apo për tre.
Këtë kënaqësi demokratët sdo ia dhurojnë dhe Lulzim Bashën do ta ketë domosdo në çdo front apo betejë të ardhshme elektorale, e mbyll shkrimin e vet 55-a e Balliut./b.l