Paloka: Humbja e zgjedhjeve, nga arroganca e ministrave dhe lista e kandidatëve
Premtimet e së majtës ende pa ardhur në pushtet qeveria e re, rezultuan fasadë elektorale dhe jo projekte konkrete për qytetarët, shprehet deputeti demokrat, Edi Paloka, duke folur për Ora News.
Paloka thotë se këto po faktohen çdo ditë, duke filluar nga iniciativa për punësim nga selia e PS-së, kur ishte vetë PS që akuzonte qeverinë e djathtë për administratë të mbushur me militantë. Më tej, Paloka thotë se tashmë po faktohen si të pamundura edhe premtimet për taksën apo shërbimin shëndetësor falas, që ishin karta për rilindjen e PS-së.
Iniciativa e kryeministrit të ardhshëm për prishjen e ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare të jugut, për Edi Palokën është një farsë, pasi sipas tij, bashkitë në këto zona janë drejtuar nga e majta dhe lejet e ndërtimit janë dhënë nga vetë krerët e këtyre njësive vendore.
Po e djathta përse humbi? Sipas Palokës ka një sërë arsyes që fillojnë nga qëndrimi në kabinetin qeveritar të ministrave për 8 vjet, të cilët e shkëputën, së bashku më drejtorët e emëruar prej tyre, vëmendjen nga qytetarët dhe militantët. Madje, sipas tij, ministrat arritën të bëheshin arrogantë edhe me deputetët, çka s’mund të krahasohej me qytetarët. Një tjetër ndëshkim për të djathtën erdhi për shkak të koalicionit me LSI-në në mandatin e dytë, ndërsa nuk përjashton si shkak për humbjen edhe listat e kandidatëve.
Deputeti demokrat vlerësoi pozitivisht fushatën e dy kandidatëve për kryetar të PD-së, si dhe platformat e tyre, ndërsa mirëpret idenë e partive të koalicionit, që me zgjedhjen e lidershipit të ri, me fillimin e sesionit të ri parlamentar, partitë e djathta të krijojnë një formacion stabël të së djathtës shqiptare./b.l