E Martë, 3 Nëntor 2026

580-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës, Begaj: Bashkimi, thelbësor për mbrojtjen e lirisë dhe vlerave të përbashkëta

Ne Lezhë është kremtuar 580-vjetori i  Besëlidhjes mes Princërve të Arbrit, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë.  Ashtu si më 2 mars të vitit 1444, në këtë ditë, në Lezhë ishin të pranishëm delegacione nga trojet shqiptare.

E veçanta e këtij përvjetori është prania e një delegacioni të gjerë arbëresh, të shoqëruar nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Është hera e parë që një kryetar shteti ndërmerr një iniciativë të tillë si dëshmi e unitetit mes shqiptareve.

Në fjalën e tij, kreu i shtetit tha se kjo ditë bëri bashkë të gjithë shqiptarët, ndërsa theksoi se lajtmotivi i Besëlidhjes së Lezhës, në kushtet aktuale gjeopolitike, merr një rëndësi edhe më të veçantë. Sipas Begajt, kjo ngjarje na kujton se bashkimi dhe solidariteti “janë thelbësor për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta dhe të lirisë”.

“Kjo është dita ku në Lezhë janë bashkë të gjithë shqiptarët, shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Luginës së Preshevës, arbëreshët e Italisë dhe kudo që ata ndodhen. Shprehja që gjaku unë i shprishur është e vërtetë sepse shqiptarët ndodhen në çdo cep të botës, por sot është dita ku shqiptarët bëhen të gjithë bashkë. 2 Marsi i vitit 1444 qëndron si dëshmi e vullnetit të bashkimit të popullit shqiptar për liri. Nën udhëheqjen e Skënderbeut, ne mbetëm të gdhendur në kronikat ë të rëndësishme europiane të kohës dhe të shekujve më pas si shembull i rezistencës për të gjithë Europën. Sot faktori shqiptar në Ballkan vijon të luaj rol të rëndësishëm në paqen e të gjithë rajonit. Në kushtet e sotme gjeopolitike ku sfidat dhe kërcënimet ndaj sovranitetit të popujve, përfshirë ato të rajonit, Besëlidhja e Lezhës dhe roli historik i shqiptarëve, marrin një rëndësi edhe më të veçantë. Na kujtojnë se bashkimi dhe solidariteti janë thelbësor për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta dhe të lirisë”, u shpreh Presidenti.  

I pranishëm në aktivitet, Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha në fjalën e tij përshëndetëse se 2 marsi i vitit 1444 vendosi themelet e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 dhe se e njëjta frymë krijoi edhe luftën çlirimtare të Kosovës.

“Ata vendosën që liria është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Pra, bashkimi i përfaqësuesve, ndërtimi i një mekanizmi ushtarak i cili i bashkon ata që janë përgejgjës për organizim, elementi i gjuhës, që ne ta krijojmë lirinë tonë, është një ëndërr që nuk ka pushuar kurrë që prej vitit 1444. Ky frymëzim, kjo energji e krijoi pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912 dhe e njëjta energji krijoi edhe luftën çlirimtare të Kosovës sepse është po i njëjti frymëzim”, u shpreh ai.  

Në këtë ditë aktivitet nisën me marshimin e nxënësve të shkollave dhe kalorësve ne Bulevardin Gjergj Fishta, për të vijuar me vendosjen e kurorave me lule tek obelisku i Besëlidhjes në qendër të qytetit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›