E Shtunë, 31 Tetor 2026

6 Gushti, kjo datë problematike

Aty nga fillimi i këtij viti, çështjae heqjes apo kufi zimit të imunitetit të zyrtarëve të lartë dhegjyqtarëve u ngrit përsëri me një vrull të ri nga lideri i Partisë në pushtet, për çka siguronte edhe mbështetjen e ndonjë ambasadori të huaj akredituar në Shqipëri, si ai i OSBE, Z. Volfart, i cili shprehej, se imuniteti mund të kufizohet me një ligj të veçantë, pa e prehur Kushtetutën. Motivi i shprehur publikisht për këtë masë ishte i njëjtë, ashtu si edhe më parë: Të luftohej korrupsioni dhe të zbatohej efektshëm parimi kushtetues i barazisë përpara ligjit, megjithëse faktikisht deri atëherë dhe deri tani, shumë nga deputetët tanë, së paku ata të opozitës, kanë qenë të gatshëm ta linin imunitetit, në rast se ndaj tyre organi i akuzës do të kërkonte të niste ndjekje penale. Ndërkohë që dihet se, faktori kryesor për të arritur rezultate pozitive ndaj fenomenit të korrupsionit, pasojat e të cilit janë tepër të rënda, do të ishte çrrënjosja e tij, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, duke i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë.
Sidoqoftë, në këto radhë nuk kemi ndërmend të përpiqemi për të zhbiruar arsyen e vërtetë që e shtynte Partinë në pushtet drejt ndërmarrjes së këtij hapi. Ajo që binte më së tepërmi në sy ishte rruga që propozohej prej saj dhe analistëve e juristëve të rreshtuar së afërmi me të. Bëhej fjalë pra, për një rrugë të shkurtër, por të padrejtë: Imuniteti të hiqej apo të kufizohej me një ligj të veçantë, nëse mazhoranca dhe opozita do të binin dakord. Mirëpo, pavarësisht, ose edhe varësisht kësaj dakordësie, masa e propozuar nuk mund të bëhej kurrsesi pa ndërhyrje në nenin 73, pika 2, të Kushtetutës që e sanksionon imunitetin. Në të kundërt, nëse do të veprohej ndryshe, atëherë do të krijohej një precedent i rrezikshëm që mund të shfrytëzohej për të ndryshuar me ligj të veçantë edhe dispozita të tjera të Ligjit tonë Themelor.
Kështu, për çështjen e imunitetit u shmang gjatë këtyre muajve propozimi i mëparshëm dhe vëmendja u përqendrua te Kushtetuta. Pra, të ndryshoheshin disa dispozita përkatëse të tij me votimin në Parlament, me një konsensus të gjerë të jo më pak se 2/3–ve të deputetëve. Dhe, për këtë qëllim Partia Demokratike depozitoi në Kuvend një projekt të hartuar, sipas saj prej EURALIUS–it, organizmit të asistencës juridike të Bashkimit Europian për Shqipërinë, si edhe u shpall 6 Gushti si data e mbledhjes së seancës plenare për miratimin e amendamenteve kushtetuese. Por, kur nga Partia më e madhe e opozitës nisi të shfaqte rezervat e para, atëherë lideri i mazhorancës dhe megafonët e tij vijuan me tone edhe më të larta sulmet e zakonshme ndaj saj, me pretendimin që ajo, pikërisht ajo po na bllokokërka marrjen e statusit zyrtar të shtetit anëtar për në Bashkimin Europian. Ndërsa, Ambasadori amerikan në Tiranë u shpreh në një intervistë televizive që koha ishte e mjaftueshme për të arritur dialogun konstruktiv dhe do të ishte zhgënjyese, nëse nuk do të definohej në atë datë zgjidhja e mundshme.
Por, a do të qenë vërtet të mjaftueshme tre javë, për të miratuar ndryshimet e kërkuara? Në fillim, e domosdoshme është të vëmë në dukje që Kushtetuta në tërësinë e saj është një dokument bazik i shtetit i aprovuar më 1998 jo vetëm nga dy të tretat e deputetëve të legjislaturës së atëhershme të Kuvendit, por përfundimisht edhe nga një shumicë e cilësuar e gjithë shqiptarëve, nëpërmjet referendumit popullor. Mbi këtë bazë, edhe Kushtetuta jonë konsiderohet si një marrëveshje madhore jo midis deputetëve të zgjedhur, por ndërmjet vet popullit. Mjafton të sjellim ndërmend, se prej disa kohësh në vendet demokratike të Europës dhe më gjerë është hequr dorë nga sovraniteti i përfaqësuesve, sepse “ligji i votuar nuk shpreh vullnetin e përgjithshëm veçse kur respekton kushtetutën”. Për pasojë, vullneti i shprehur prej deputetit nuk është më sovran dhe ai duhet të respektojë pushtetin kushtetues, i cili tek e fundit mishërohet te populli. Një parim ky i shprehur në një farë mënyre edhe në nenin 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë që të mos bëhen ndonjëherë amendamente kushtetuese, procedurat kuvendore për të cilat parashikohen në nenin 177 të Ligjit tonë Themelor, që gjithashtu nuk përjashton formën referendare. Pikërisht kjo formë po lakohet gjithnjë e më tepër nga konstitucionalistë të spikatur europianë, për të favorizuar një demokraci më reale, për t’ia kundërvënë këtë prirjes për sovranitet absolut të asambleve parlamentare dhe për të moderuar pushtetin e shumicës qeverisëse, sidomos kur bëhet fjalë për ndryshime që prekin raportin midis pushteteve të ndryshme. Të mos harrojmë, se sa pasoja të dëmshme kanë rezultuar prej amendamenteve të çastit, që iu bënë Kushtetutës sonë nga votimi i një nate në Kuvendin e Shqipërisë në Prill të 2008 – s, të cilat cenuan veçanërisht marrëdhëniet e drejta midis Legjislativit dhe Ekzekutivit. Të mos harrojmë, ndërkohë, që neni 7 i Kushtetutës sonë sanksionon, se: “Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushtetit ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”. Kështu që, për shembull, zhdukja e mbrojtjes kushtetuese të gjyqtarëve nuk mund të vendoset me 92 kartonë të deputetëve, pa iu nënshtruar nevojshmëria e ndërmarrjes së kësaj mase një diskutimi sa më të gjerë të opinionit publik.
Po të zbresim në një terren më konkret dhe të shkëputur nga gjithçka u tha më lart, pra tek ato procedura që parashikon Rregullorja e Kuvendit, nuk mund t’i vështrojmë ato në kundërshtim me nenin 83/3 të Kushtetutës, që nuk lejon të zbatohen procedura të përshpejtuara as për ligjet që miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit (përveç ligjit për gjendjen e jashtëzakonshme). Në këtë vështrim, afatet e vendosura në mënyrë strikte sipas Rregullores, për shqyrtimin në Komisionin e Ligjeve dhe votimin në seancë plenare të variantit të propozuar prej maxhorancës duket që është i justifikueshëm caktimi i datës 6 Gusht. Mirëpo, kur opozita jo vetëm që shtron me të drejtë diskutimin e gjerë të këtyre ndryshimeve, por edhe sikur të paraqiste sot një variant të ri, atëherë domosdoshmërisht që afatet e parashikuara në Rregulloren e Kuvendit do të shtyheshin. Kështu, nuk mund të mos thuhet që 6 Gushti mbetet një datë problematike dhe e destinuar të shtyhet, së paku, për në muajin Shtator, me nisjen e punimeve të sesionit të dytë të këtij viti.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›