E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova as e pavarur e as e mbikëqyrur

Share

Nga Augustin Palokaj

Aty ku është dashur ta mbikëqyrte Kosovën, bashkësia ndërkombëtare nuk e ka bërë këtë dhe ka lejuar që të ketë një degradim kaq të madh të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Por faktori ndërkombëtar në Kosovë ka marrë vendimet kyç politike duke i shndërruar politikanët vendorë vetëm në vegël të tyre. Në këto 4 vjet pavarësie të mbikëqyrur Kosova nuk ka krijuar as kulturën e pavarësisë. Kjo nuk do të ndryshojë as pas vjeshtës, nëse formalisht vendoset pavarësia e plotë apo e pa mbikëqyrur e Kosovës

Ishte viti 2003, diku pranverë e hershme, moti me diell, por bënte ftohtë. Rrugët e Sarajevës dukeshin bosh, kafeteritë edhe më të zbrazëta. Ishin mbushur plot 8 vjet që nga fundi i luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Isha për vizitë me Këshillin e Përhershëm të NATO-s në Sarajevë për të parë se sa ka arritur ky shtet në tejkalimin e pasojave të luftës dhe në ndërtimin e shtetit. Sarajeva dukej e lodhur, vrimat e plumbave ende shiheshin nëpër muret e disa ndërtesave, ndërsa vendësit thoshin se është ndryshuar shumë edhe struktura e popullatës së kryeqytetit. Ajo që dukej ndryshim i madh ishte edhe prania jashtëzakonisht e vogël e ndërkombëtarëve. Sarajevën e kisha parë për herë të fundit para nisjes së luftës në Kosovë. Në atë kohë numri i ushtarëve të NATO-s, pjesëtarëve të misionit të OSBE-së, Zyrës së përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar dhe pjesëtarëve të tjerë të huaj ishte me dhjetëra e mijëra. Largimi i madh i tyre dhe zvogëlimi i numrit paraqitej si dëshmi e suksesit dhe se tash janë vendorët ata që duhet të marrin përgjegjësinë për vete. Thuhej se duhej që lokalët të merrnin në pronësi apo përgjegjësi të ardhmen, apo siç thoshin në anglishte duhej më shumë local ownership. Një numër i mirë i ndërkombëtarëve nga Bosnja ishte shpërngulur në Kosovë në mënyrë që tash ti ndihmonin Kosovës që të përballej me pasojat e  luftës dhe të ndërtonte një shoqëri demokratike. Dukej e habitshme se si ata që kërkonin punë në Kosovë në biografitë e tyre shkruanin përvojën nga Bosnjë-Hercegovina si përparësi, ndërsa politika ndërkombëtare ishte që të mos lejohej të përsëriteshin të njëjtat gabime që kjo bashkësi ndërkombëtare i kishte bërë në Bosnjë- Hercegovinë. Kështu, në kohën kur në Kosovë ishte një numër i madh i zyrtarëve ndërkombëtarë, çmimet e qirasë së banesave në Prishtinë kushtonin më shtrenjtë se në Bruksel, me mijëra të rinj gjetën punë si përkthyes, shoferë, mekanikë. Restorantet edhe kafeteritë përfitonin nga prania e madhe e  njerëzve me rroga të mëdha. Krejt kjo kishte filluar ti mungonte Sarajevës, dhe si shkas një numër biznesesh ishin shuar, shumë përthyes kishin humbur vendet e punës, ndërsa shteti i Bosnjë- Hercegovinës kalonte e vendimet prapë i merrte përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar. Një pronar i një lokali në Sarajevë më pyeste se si po kaloni ju në Kosovë me këta të huajt?. Kur i thashë se popullata e Kosovës është mikpritëse dhe e gëzuar se ka ndihmën e tyre, sidomos me praninë e NATO-s, ai më tha se së shpejti do ta kuptojnë atë që kuptuan boshnjakët . E çka kanë kuptuar boshnjakët? e pyeta. A e dini atë këngën e këngëtarit Dino Merlin me titull: Teko meni sa tobom-A jo tee bez tebe. E titulli i kësaj kënge është mësimi dhe e vërteta. Nuk është lehtë me ta, nuk ka shumë hair prej tyre, por pa ta do ta keni edhe më vështirë thoshte ai.

Sot kur e shoh situatën në Kosovë nuk mund të heq nga mendja atë vizitën në Sarajevë në vitin 2003. Sot në Kosovë ka shumë më pak të huaj. Qiraja për banesa në Prishtinë është shumë më e vogël, por shumë të rinj që gjeten punë duke përfituar nga prania ndërkombëtare kanë mbetur pa punë. Kosova nuk e ka ndërtuar shtetin si duhet, demokracia nuk është duke funksionuar si duhet, populli është i varfër, ndërsa është krijuar një shtresë tipike që nxjerr një shoqëri në transicion e njerëzve që duken më të pasur sesa në Perëndim. Mund të gjendet ndonjë shembull ku gjërat në Kosovë janë bërë më mirë se në Bosnje pas luftës. Rindërtimi i shtëpive, për shembull, është bërë shumë më shpejt. Ju dini të mbaroni shtëpi, por nuk dini të bëni shtet pati thënë një diplomat i lartë ndërkombëtar pas largimit nga Kosova. Kosovarët sot janë të pakënaqur me situatën në vendin e tyre. Për këtë fajësojnë edhe politikanët vendorë, por edhe të huajt, sepse Kosova është ende  përgjegjësi e përbashkët. Kosovarët i janë falënderues bashkësisë ndërkombëtare për ndihmën që ka dhënë në çlirimin e saj dhe për pavarësimin. Por nuk mund të pajtohen se nuk ka qenë e mundur të bëhej më shumë, sidomos në parandalimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në ndërtimin e përgjegjësisë politike dhe standardeve demokratike. Kjo pakënaqësi me ndërkombëtarët nuk do të thotë se kosovarët janë kundër pranisë ndërkombëtare. Atyre nuk u pëlqen se ata nuk e kanë bërë si duhet punën për të cilën kanë ardhur në Kosovë. Prandaj kënga vështirë me ty, por edhe më rëndë pa ty mund të jetë refren i cili përshkruan edhe përshtypjen e shumë kosovarëve sot për bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë.

Pavarësia e Kosovës posa është shpallur, ka pasur edhe prapashtesën e mbikëqyrur. Kjo mbikëqyrje është dashur të ishte një lloj korrektuesi i ndërkombëtarëve ndaj gabimeve të pushtetit vendor. Kështu së paku ishte shitur para shpalljes së pavarësisë dhe kjo ka qenë edhe arsyeja pse një pjesë e madhe e popullatës ishte e pajtimit që të jetë kështu.

Aty ku është dashur ta mbikëqyrte Kosovën bashkësia ndërkombëtare nuk e ka bërë këtë dhe ka lejuar që të ketë një degradim kaq të madh të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Kanë toleruar mashtrimet në zgjedhje dhe madje, sipas disa diplomatëve, kanë ndikuar nganjëherë edhe që për shkaqe politike të ndalen hetimet për krim të organizuar dhe korrupsion. Kanë folur shpesh për lirinë e medieve, por nuk kanë bërë asgjë për të ndihmuar mediet. Nuk kanë bërë asgjë edhe për të parandaluar ndarjen e Kosovës.

Por faktori ndërkombëtar në Kosovë ka marrë vendimet kyç politike duke u shndërruar politikanët vendorë vetëm në vegël të tyre. Nuk u ka penguar manipulimi i zgjedhjeve të vetme të përgjithshme, të cilat i kanë organizuar vetë kosovarët vetëm për shkak se institucionet e dala nga to kanë pranuar të bëjnë kompromise me Serbinë. Në vend që tia imponojnë Kosovës një demokraci çfarë kanë shtetet perëndimore, pra ku Qeveria u përgjigjet të zgjedhurve të popullit në Parlament, ndërkombëtarët në Kosovë kanë bërë çmos që Parlamenti të jetë vetëm një vegël e tyre dhe e Qeverisë dhe si një lloj dekori i demokracisë. Vendimet kyç për vendin si dialogu me Serbinë, marrëveshjet me Beogradin, që vënë në dyshim identitetin shtetëror të Kosovës në takimet ndërkombëtare dhe rajonale, e edhe zgjedhja e presidentit, liderëve të institucioneve  të tjera shtetërore e deri tek guvernatorët e bankave dhe krerët e institucioneve gjyqësore e akademike, edhe tenderët për rrugë dhe shitje të ndërmarrjeve publike,  janë bërë jashtë institucioneve, shpesh nëpër shtëpi private apo restorante. Në këto 4 vjet pavarësie të mbikëqyrur, Kosova nuk ka krijuar as ku

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›