E Shtunë, 31 Tetor 2026

Austria mbështetje Shqipërisë për liberalizimin e vizave

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka marrë dje mbështetjen e Austrisë në perspektivën europiane të Shqipërisë dhe liberalizimin e vizave. Kryeparlamentarja priti dje paradite në një takim delegacionin parlamentar austriak, i kryesuar nga zëvendës presidenti i parë i parlamentit, Michael Spindeleger dhe Kryetari i grupit parlamentar të miqësisë Austri-Shqipëri, Volfgang Grossruck, të cilët ndodhen në Shqipëri në një vizitë zyrtare, me ftesë të Kryetares së Kuvendit. Zyra e shtypit pranë Kuvendit bëri të ditur se parlamentarët austriakë u shprehën se “Austria do të jetë krah Shqipërisë përgjatë rrugës drejt anëtarësimit të plotë të saj në BE”. Ne, u shprehën ata, mbështesim liberalizimin e vizave dhe e konsiderojmë Shqipërinë një vend fqinj, pavarësisht kufijve gjeografikë.
Topalli vlerësoi mbështetjen që Austria i ka dhënë Shqipërisë në këto 17 vite si dhe mbështetjen për shtetin e ri të Kosovës, ndërsa vuri në dukje reformat e qeverisë, të cilat kanë bërë që investitorët e huaj të rrisin interesin e tyre, kryesisht në infrastrukturë, energji e turizëm. Ju jemi mirënjohës për ratifikimin e MSA-së Shqipëri-BE", tha znj. Topalli. “Ne shpresojmë ta përmbyllim këtë fazë brenda këtij viti dhe t’i kërkojmë BE-së statusin e vendit kandidat”, nënvizoi Kryeparlamentarja, duke shtuar se do të vlerësonim shumë mbështetjen e vendit tuaj edhe për këtë kërkesë. Ajo cilësoi si shumë të rëndësishme heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë, një vend që ka vuajtur gjysëm shekulli në izolim. Nga ana e tyre përfaqësuesit e delegacionit parlamentar austriak, duke mbështetur politikën e liberalizimit të vizave, theksuan se Shqipëria ka një transformim të madh në vitet e fundit. Përfaqësuesit e delegacionit austriak theksuan ndër të tjera se Austria mbështet plotësisht të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe perspektivën europiane të të gjithë rajonit ballkanik. Parlamentarëve austriakë iu është rezervuar një takim i ngrohtë edhe nga kryeministrin Sali Berisha. Ky i fundit i njohu parlamentarët austriakë me masat e ndërmarra nga qeveria për përmirësimin e sistemit arsimor në vend, duke dyfishuar buxhetin për këtë sektor si dhe liberalizimin e universiteteve. Gjithashtu ai i njohu parlamentarët austriakë edhe me ecurinë e reformave në vend, si dhe me prioritetet që qeveria shqiptare ka vënë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dukuri këto të kthyera tre vite më parë në sistem, por që sot luftohen me force. Berisha theksoi se si rezultat i kësaj lufte të hekurt çdo qershor qeveria shqiptare dërgon në Parlament një buxhet të dytë, si dhe është bërë i mundur një fokusim i investimeve të qeverisë në infrastrukturë dhe arsim. Kryeministri u ndal dhe në investimet që janë bërë në rrjetin infrastrukturor në vend, si dhe shprehu angazhimin e qeverisë që brenda tre viteve Shqipëria të ketë një nga rrjetet e rrugëve më moderne që ekzistojnë. Kreu i qeverisë cilësoi si objektiv të rëndësishëm të qeverisë dhe ruajtjen e ambientit nga ndotja, duke kërkuar që të gjithë bizneset të përdorin teknologjitë në bazë të standardeve më të mira për mjedisin. Parlamentarët austriakë u shprehën të impresionuar për zhvillimet që ka pësuar Shqipëria në këto tre vitet e fundit, ndërsa nënvizuan se investimi në arsim dhe infrastrukturë është mënyra e duhur për të patur një shoqëri të zhvilluar dhe integruar. Parlamentarët austriakë shprehën interes dhe për zhvillimin e burimeve energjeke në Shqipëri. Edhe Presidenti i Republikës, i ka rezervuar një takim tgë veçantë për miqtë nga austria. Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për ratifikimin nga ana e Parlamentit austriak të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit mes vendit tonë dhe Bashkimit Evropian si dhe për gjithë ndihmesën e dhënë nga shteti dhe populli austriak për zhvillimin e demokracisë, përmbushjen e aspiratave integruese dhe zhvillimin ekonomik ku prania e investitorëve austriakë është e ndjeshme në fusha të tilla si sistemi bankar, infrastruktura, sektori energjitik, etj. Në fund të takimit kryetari i Grupit parlamentar të Miqësisë Austri-Shqipëri, parlamentari austriak Volfgang Grosruk u dekoruan nga kreu i shtetit shqiptar me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skëndërbeu” me motivacionin “Për kontribut të veçantë dhe shumë të rëndësishëm në zhvillimin dhe mbështetjen e demokracisë në Shqipëri”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›