6 spitale marrin kartën e Autonomisë Menaxheriale, Rama: Mundësi për t’u bërë destinacion për shërbimin shëndetësor në rajon

TIRANË, 17 mars /ATSH/6 spitale të tjera në vend morën sot kartën e autonomisë menaxheriale gjatë një takimi në spitalin “Memorial” në Fier, ku i pranishëm ishte Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu.
Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, Materniteti “Koço Gliozheni”, Spitali Rajonal Korçë, Spitali Rajonal Elbasan, Spitali Rajonal Gjirokastër dhe Spitali Universitar i Traumës – morën kartën e autonomisë menaxheriale, duke iu bashkuar transformimit që po fuqizon sistemin shëndetësor.
Kartat iu dorëzuan drejtuesve të institucioneve nga Kryeministri Edi Rama.
“Ndërkohë ne do të vazhdojmë punën për të rritur shkallën e ndërveprimit dhe për të krijuar një gamë më të gjerë bashkëpunimesh me miq dhe me aleatë ndërkombëtarë. Ky bashkëpunim këtu është shumë kuptimplotë për vlerat e kësaj përzierjeje eksperiencash dhe energjish dhe siç kemi nisur me spitalin Onkologjik në Tiranë bashkëpunimin me spitalin Sheba të Izraelit, jemi duke përgatitur një tjetër bashkëpunim shumë të rëndësishme për të cilin nuk dua të flas në detaje sepse jemi akoma në procesin e formësimit të linjave të bashkëpunimit, edhe para se të jemi 100% të sigurtë që do ta kemi atë bashkëpunim, më mirë që të jemi të matur në prononcim se na e futi këtë kulturë Tuneli i Murrizit, kështu që besoj shumë se po qe se edhe ai bashkëpunimin do të realizohet, atëherë do të kalojmë vërtetë në një nivel tjetër”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se i kemi të gjitha mundësitë që të bëhemi një destinacion për shërbimin shëndetësor në rajonin tonë këtu në Ballkan.
“I kemi të gjitha mundësitë që në vitet e ardhshme të kësaj dekade, me mbështetjen e miqve tanë, me mbështetjen e ekspertëve aleatë, ne të ndërtojmë një sistem shërbimi shëndetësor i cili të jetë në gjendje të përballojë shumë më tepër kërkesë për cilësi dhe jo vetëm për sasi dhe Memoriali ka dëshmuar dhe në gamën e gjerë të shërbimeve dhe të ndërhyrjeve që ofron, se kjo është e mundur dhe ashtu sikundër Republika e Turqisë ia doli, që të garantojë shërbim të plotë 360 gradë për qytetarët e vet në radhë të parë dhe pastaj të bëhet edhe një destinacion për të tjerët, unë besoj se ne mund dhe do t’ia dalim që të garantojmë një gamë në mos 360 gradë, po shumë pranë 360 gradëve për qytetarët tanë dhe të bëhemi një destinacion për shërbimin shëndetësor në rajonin tonë këtu në Ballkan”, tha Rama.