Rama: Pasaporta e BE-së i jep fund çdo lloj dallimi mes shqiptarëve dhe të tjerëve

TIRANË, 17 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste ishte sot në Fier ku zhvilloi një takim me kandidatët për deputetë të këtij qarku për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 maj.
Kreu i qeverisë foli për rëndësinë e hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai u shpreh se kjo është një mundësi historike për vendin dhe se shumë aspekte pozitive do të vijnë për Shqipërinë nga ky proces.
Ai theksoi se liria individuale e shqiptarëve ka qenë gjithmonë e kërcënuar, por hyrja në BE do të sigurojë garanci për këtë liri.
“Ne duhet që të kalojmë këtë mesazh shumë qartë. Nga ky mesazh, ose nga ky fakt i hyrjes së Shqipërisë në BE, ka shumë gjëra pozitive që vinë për Shqipërinë nuk diskutohet. Shumëkush kot thotë ç’na duhet në BE, është në hall për vete etj, etj. Nëse ka një vend që i duhet BE është Shqipëria për arsye historike dhe që lidhen me shkëputjen një herë e mirë me kthetrat e historisë dhe lidhjen me të ardhmen në funksion të lirisë. Liria individuale e shqiptarëve ka qenë gjithmonë e marrë peng ose e kërcënuar. Nëse ne hyjmë në BE ajo nuk kërcënohet më se BE është vendi i lirisë individuale të garantuar. E dyta për barazinë para ligjit”, tha Rama.
Rama përmendi gjithashtu rëndësinë e barazisë para ligjit, duke theksuar se kjo ka filluar të realizohet falë reformës në drejtësi.
“Barazia para ligjit sot ka filluar të vihet në vend falë vullnetit tonë për të realizuar reformën në Drejtësi për t’ia dorëzuar shpatën e ndëshkimit të drejtësisë që deri dje e kishim në dorë ne siç e ka pasur çdo pushtet politik nga 1912, një trupe të pavarur dhe duke i dorëzuar shpatën i kemi vënë edhe qafën tonë në satër, sepse ky është kuptim në fund të fundit ata kanë shpatën e ndëshkimit, kanë edhe peshoren e gjykimit, kanë edhe sytë e mbyllur të paanësisë. Shpatën ua kemi dhënë peshoren e kanë akoma që iu tundet fashën në sy nuk e kanë akoma, por gjithsesi ky është procesi. Barazia para ligjit nuk mund të garantohet nga ne përkohësisht, por ja ku e keni palën tjetër që thotë sa të vijmë ne do të shkrijmë SPAK-un do t’i marrim shpatën, se janë mësuar që ta mbajnë shpatën vetë, ndërkohë që në BE nuk të lë njeri ta prekësh atë shpatë. BE ka struktura, sepse futja në BE kijeni parasysh është dorëzimi i një pjesë të sovranitetit tek familja”, u shpreh Rama.
Rama foli edhe për mbështetjen financiare që Shqipëria ka marrë dhe do të vazhdojë të marrë nga Bashkimi Evropian.
“E treta janë standardet e të gjithë funksionit të jetës. Nga ana tjetër BE është gjëja më e mirë që mund të na ndodhë ne sepse kur hyn në BE ti hyn në një kategori që është kategoria e përfituesve si një familje ku më të mëdhenjtë janë kontribuuesit dhe quhen vendet kontribuuese që japin më shumë seç marrin nga BE dhe rrinë aty. Ne në gati 10 vite nga BE kemi marrë mbështetjen 1 miliard euro e ca, 1 miliard euro do t’i marrim çdo vite si anëtare të BE-së në të gjithë periudhën për bujqësinë kemi marrë mbështetje që ka shkuar në rreth disa dhjetëra milionë euro. Në vit do të jenë 300 milionë euro”, tha Rama.
Një tjetër pikë e rëndësishme e fjalës së Ramës ishte lidhur me marrjen e pasaportës së BE-së dhe se vota e 11 majit do të jetë pikërisht për këtë pasaportë.
“Vota e 11 majit është votë për pasaportën e BE-së. Pasaporta e BE-së vjen si rezultat i hyrjes në BE dhe është fundi i çdo lloj dallimi me shqiptarëve dhe tjerëve. Dallimin çdo shqiptare kupton sa futet në kufij se i thonë dil këtej. Ne lëvizim pa viza por nuk qëndrojmë dot në vend pa vizë duhet të jemi gjithë kohës, ta marrin pasaportën ku po shkon kush të ka ftuar sa lekë ke me vete, kur do të ikësh. Me pasaportën e BE-së do të kalojmë siç kalojnë të tjerët. Nuk është vetëm hyrja por edhe qëndrimi sot një shqiptar për të qëndruar jashtë bën si azilant, punon në të zezë ndërkohë që me pasaportën e BE-së nisesh dhe ndalon ku të duash ke kërkon punë ku të duash. Nëse je me pasaportën e BE-së shërbimi shëndetësor dhe rimbursimet janë njësoj si për ty dhe francezin që është në Francë. Kjo vlen shumë edhe për të gjithë emigrantët që akoma nuk kanë marrë pasaportën e vendit ku janë pasi me pasaportën shqiptare ato janë njësoj. Studentët të gjithë prindërit duhet të mendojnë se pasaportën e BE-së ia japim vetëm ne. Me kë do të flasë me bufin”, u shpreh Rama.
“Në vende të tjera me pasaportën e BE-së nëse je në një vend në fund të botës që nuk ka ambasadë shqiptare ambasada e BE-së e ka për detyrë të të marrë në mbrojtje. Me këtë panoramë mendoj se është një punën e madhe që duhet bërë. Të gjithëve t’ua bëjmë të qartë se vota me 11 maj është shumë më tepër se një votë partiake është përtej ngjyrave të partive”, e përmbylli Rama fjalën e tij. /j.p/