Protesta e opozitës për TikTok-un, Rama: Qytetarët, të majtë e të djathtë nuk iu përgjigjën

TIRANË, 17 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot se qytetarët e refuzuan protestën e thirrur nga opozita për mbylljen e TikTok-ut.
Gjatë takimit në Fier me kandidatët socialist për deputetë në zgjedhjet e 11 majit, Rama tha se reagimi i qytetarëve për protestën për mbylljen e TikTok-ut, duhet marrë si shembull me atë çfarë duhet të ndodhë edhe në këto zgjedhje.
“Prindërit të cilët janë me bindje të ndryshme i kanë harruar bindjet e tyre dhe 95 % në këshillimin që bëmë për qasjen ndaj TikTok-ut janë dakordësuar dhe na kanë thënë që TikTok-u duhet mbyllur”, shpjegoi ai.
Sipas Ramës, pavarësisht faktit që më tepër se 5 % nuk janë simpatizantë, votues apo mbështetës të PS-së, thirrjes së palës tjetër për të bërë protestë për të ashtuquajturën çlirim të TikTok-ut nuk iu përgjigjën.
“Sepse kur vjen puna te interesi i drejtpërdrejt i shëndetit dhe sigurisë së fëmijëve, nuk ka të majtë, të djathtë, ngjyrë blu dhe të kuq”, shtoi Rama.
E njëjta gjë, theksoi ai, duhet pasur parasysh më 11 maj, sepse të gjitha të tjerat presin.
“Kjo nuk pret. Ne nuk mund të humbim trenin”, deklaroi Rama. /j.p/