E Shtunë, 31 Tetor 2026

60 artistë në Mitrovicë

Për nder të festës së 28 nëntorit, në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë, të enjten performojë trupa e Operas dhe Baletit nga Tirana. Rreth 60 artistë shkelën në skenën e Mitrovicës. Aktivitetet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim.

Në maratonën e aktiviteteve kulturore në Mitrovicë, të enjten, nga ora 19, në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë u shfaq etno-muzikali i parë shqiptar, “Rituali i Jetës", i realizuar nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe nga Ansambli Popullor i Republikës së Shqipërisë.

Sipas drejtorit të Teatrit Profesionist në Mitrovicë, Mirsad Feratit, sjellja e trupës nga Tirana ishte iniciativë e drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport, Artan Osmani, i cili e ka kontaktuar drejtorin e Teatrit të Operas dhe Baletit. Sipas tij, ideja ishte që Mitrovicës t’i ofrohej diçka e bukur dhe e mirë.

“Është etno-muzikali i parë shqiptar që është realizuar, i pari i shfaqur në Mitrovicë, është kombinim i folklorit dhe baletit i realizuar nga profesionistë”, sqaron Artan Osmani, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë.

Ndërsa Ferati tha se “meqenëse bëhet fjalë për një ngjarje të tillë, vendosëm që të shfaqet më datën 24, për nder të 28 nëntorit. Në fakt, që nga kjo datë në Mitrovicë nis kremtimi i festës së nëntorit”, shprehet ai

Sjellja e trupës nga Tirana në Mitrovicë, nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport në Mitrovicë.

“Jemi shumë të kënaqur me numrin e vizitorëve. Ajo që e kemi vërtetuar është se me shtimin e aktiviteteve dhe reprizave të shfaqjeve po shtohet edhe numri i artdashësve. Gjithashtu, jemi bindur se marketingu më i mirë është ai gojor, fjala-fjalës, shoku-shokut”, thotë Ferati.

Me rastin e 28 nëntorit, përveç muzikalit të trupës së baletit do të mbahen edhe dy aktivitete tjera të mëdha: konkursi i hapur në artet figurative dhe konkursi ‘Pianisti i ri’. Konkursi figurativ do të përcillet me një ekspozitë pikturash, skulpturash, grafikash, etj, dhe në kuadër të tij do të ndahet edhe çmimi “Kadri Kadriu”. Kurse, “Pianisti i ri” në fakt është një projekt i hershëm, gjegjësisht një garë e të rinjve në muzikë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›